
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka përsëritur se qëndrimi i Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar, duke i cilësuar kërcënimet dhe fyerjet amerikane si “shenjë të dëshpërimit të amerikanëve”.
“Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi deklaruar më parë: Nuk do të ketë asnjë veprim apo negociatë deri në përmbushjen e shtatë kushteve të Iranit”, deklaroi kryenegociatori iranian, në një raport të publikuar nga agjencia e lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).
“Për më tepër, ne jemi të përgatitur t'i përgjigjemi me vendosmëri çdo lëvizjeje armiqësore nga armiku dhe, nëse ai bën një llogaritje të gabuar, ta zhvendosim konfliktin në një tjetër zonë gjeografike”, shtoi ai.
Ghalibaf tha se deklaratat e tij vijnë si përgjigje ndaj “komenteve të pakuptimta dhe kërcënimeve” të fundit nga presidenti amerikan Donald Trump dhe sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent.
Ky i fundit deklaroi së fundmi në një postim në rrjetin social X se departamenti që drejton do të vazhdojë të shkatërrojë rrjetet e paligjshme financiare të Iranit, “derisa të kemi varrosur kokën e gjarprit”.
Të hënën, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj më shumë se dy duzinave subjektesh iraniane, përfshirë zyra këmbimi valutor, kompani të përdorura si mbulesë dhe persona kyç. Sipas Uashingtonit, kjo është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të goditur rrjetet financiare informale të Iranit në nivel global.
Kushtet e vendosura nga Teherani përfshijnë heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, lehtësimin e sanksioneve, lirimin e fondeve të ngrira iraniane, përfundimin e armiqësive në të gjitha frontet dhe shpalljen zyrtare të përfundimit të luftës.
(A2 Televizion)