
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shprehet shumë i shqetësuar për deklaratën e homologut turk, që foli për angazhim në rritjen e njohjeve për Kosovën. Vuçiç tha se do të përpiqet që të flasë me Rexhep Tayyip Erdogan për këtë çështje dhe të tentojë t’i ndryshojë mendjen.
“Deri në 1 shtator, sipas marrëveshjes së Uashingtonit, të dyja palët kanë një detyrim të mos lobojnë për njohje ose çnjohje”, u shpreh presidenti serb për mediat vendase. Vuçiç pranon se përballë liderit të Turqisë, ai është i parëndësishëm.
“Erdogan është një udhëheqës i shkëlqyeshëm, unë jam i vogël dhe i papërfillshëm dhe Serbia është më pak e rëndësishme, por nuk është aq e vogël sa të mos përpiqet ta kundërshtojë, sepse ne po mbrojmë qëndrimin tonë”, shtoi Vuçiç. Ndër të tjera, theksoi se Serbia do të luftojë deri në fund, pavarësisht nëse arrin të zbusë ose jo qëndrimet e presidentit të Turqisë për Kosovën. (A2 Televizion)