
Kreu i SPAK, Arben Kraja, pati një tjetër mesazh për politikanët duke deklaruar se Prokuroria e Posaçme do t’i shkojë deri e fund hetimeve të nisura kundër korrupsionit.
Në të njëjtën kohë, Kraja kërkoi zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK.
“Prioritetet i kemi të qarta. Në radhë të parë është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe sekuestrimit të aseteve kriminale. Koncepti i pandëshkueshmërisë për arsye të lidhjeve politike, të suportit financiar apo për arsye të rrezikshmërisë së personave me të cilët ne merremi do të marrë fund. Ne punojmë me parimin se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe të jeni të sigurt se kështu do të vazhdojmë deri në fund. Në konsolidimin e strukturës, jo vetëm për numrin e prokurorëve, për ambientet e punës, për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Grupi i parë i Byrosë Kombëtare të Hetimit është pothuajse gati për të filluar punë. Nga kontaktet që ne kemi, është një grup mjaft efikas. Momenti i parë, i cili është edhe më emergjent, ka të bëjë me nevojën për një ambient të përshtatshëm pune për Byronë Kombëtare të Hetimit. Nisur nga numri i miratuar i strukturës, i organikës dhe punës që do të bëjë BKH, në një afat shumë të shkurtër do të jetë e pamundur që ata të ushtrojnë funksionet në kushte normale.
Mandati i kufizuar, për mua, bie në kundërshtim me atë që u tha këtu. Të gjithë jemi dakord që koncepti i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i shtrirë në kohë... jemi në një situatë ku për një kohë të gjatë kemi mungesë ndëshkueshmërie”, tha Kraja.
Ndërkohë, kryeprokurori Olsian Çela shprehu shqetësimin se situata në disa prokurori të vendit është e rënduar për shkak të vaksinave të shkaktuara nga vettingu dhe për pasojë shumë çështje kanë mbetur stok. (A2 Televizion)