
Pas disa rezultateve radhazi negative dhe mbi të gjithë asaj humbje turpëruese në Shkodër ndaj Skocisë, Kombëtarja shqiptare ka dhënë shenja jetë në ndeshjen miqësore ndaj Uellsit.
Shqipëria e drejtuar nga italiani Christian Panucci doli e fituar nga një ndeshje që pakkush kishte shpresa për një rezultat pozitiv. Një penallti e kthyer në gol nga Bekim Balaj, rikthen edhe shpresën te ky grup dhe deri diku edhe te trajneri Panucci, i cili cilësohej si i larguar para kësaj sfide.

Ndryshime të vogla në formacionin e kuqezinjëve me Panuccin që aktivizoi më të mirët ndërsa i dha një fanellë titullari nga minuta e parë mbrojtësit Ardjan Ismajli, por edhe Andi Lilës si mesfushor.

Edhe pse e nisi lojën pa dy yjet e ekipit Bale dhe Ramsey, britanikët dominuan pjesën e parë me Shqipërinë që vetëm mbrohej dhe arriti të ruante rezultatin e bardhë 0-0. Në fraksionin e dytë skuadra e Panuccit ishte më kërkuese, me Shqipërinë pas një aksioni të rrjedhshëm arriti të fitonte një 11-metërsh me Taulant Xhakën në minutën 58-të.
Disa sekonda më vonë Bala ekzekutoi saktë duke kaluar Shqipërinë në avantazh. Uellsianët u përpoqën të reagonin po rastet më të mira i kishte Shqipëria me Uzunin që iu afrua golit në dy tentativa. Në fund Bale pati një shans të mirë me një goditje standarde, por e ndali topin në barrikadën mbrojtëse. Përfundoi 1-0 në Elbasan Arena për Shqipërinë që mposhti një kundërshtar të fortë duke larguar për momentin krizën. (A2 Televizion)