
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, thotë se është vënë në shënjestër të “kriminelëve kibernetikë”, të cilët kanë publikuar të dhënat e tij personale në internet për shkak të mbështetjes së Italisë ndaj Ukrainës.
“Prej disa ditësh, kriminelët kibernetikë kanë publikuar të dhënat e mia personale në ‘dark web’ dhe po përpiqen të sigurojnë informacione të tjera, duke më ekspozuar në këtë mënyrë ndaj kërcënimeve dhe intimidimeve të reja”, shkroi Tajani në rrjetin social X.
Ai nuk specifikoi natyrën e kërcënimeve, por tha se hakerat kanë vënë në shënjestër edhe familjen e tij.
‘Dark web’ është një pjesë e fshehur e internetit, e cila nuk indeksohet nga motorët e zakonshëm të kërkimit dhe mund të aksesohet vetëm përmes programeve të posaçme.
“Qëndrimi ynë për Ukrainën është arsyeja politike përse jam vënë në shënjestër”, deklaroi Tajani.
“Mbështetja e lirisë së një shteti sovran dhe mbajtja e një qëndrimi të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe pavarësisë së një kombi është e rrezikshme në sytë e këtyre organizatave kriminale”.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, fajësoi për incidentin hakerat pro rusë dhe shprehu “solidaritetin e saj të plotë” me Tajani-n.
“Shitja e informacioneve konfidenciale për përfaqësuesit e institucioneve është një shkak për shqetësim serioz dhe duhet të trajtohet me vendosmërinë më të madhe”, deklaroi ajo në një reagim zyrtar. (A2 Televizion)