Përfundon seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës. Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, trupa gjykuese u tërhoq për vendim.
Ankimimi u krye nga grupimi i Enkelejd Alibeajt, i cili kërkon rrëzimin e vendimit të Kuvendit për të mos ia përcjellë trupës kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes, njëherësh Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Përfaqësuesi i PD-së në gjykatë u shpreh se Kuvendi tejkaloi kompetencat, duke vendosur rrëzimin e kërkesës nën argumentin se konstatimin e konfliktit të interesit për deputetët e bën vetëm Gjykata Kushtetuese.
Po sot pritet të shqyrtohet edhe një tjetër padi ndaj ministres Xhaçka. Grupimi i Sali Berishës kërkon nga kjo trupë që të shqyrtojë menjëherë legjitimitetin e mandatit të Xhaçkës.

Në nëntorin e kaluar, grupimi Berisha dhe ai i Alibeajt depozituan në Gjykatën Kushtetuese dy padi të ndryshme, ndonëse kërkesat ishin të njëjta.
Deputetët e PD-së kundërshtonin vendimin e Kuvendit që refuzoi heqjen e mandatit parlamentar të Olta Xhaçkës, për papajtueshmëri, sipas tyre, me Kushtetutën.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 21 kundër, raportin e mazhorancës socialiste që konstatonte se përfitimet si sipërmarrës të bashkëshortit të ministres së Jashtme, nuk e vendosnin Olta Xhaçkën në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin parlamentar. (A2 Televizion)