Të shtunën ka vijuar në Prishtinë protesta e radhës në shenjë revolte ndaj vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë të dielën e kaluar.
Protestuesit në orët e pasdites kanë nisur marshin e tyre nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke shpalosur kërkesat e tyre për drejtësi dhe mbrojtje më të madhe për gratë që përballen me dhunën.
Një aktiviste, në emër të protestuesve, ka kërkuar shkarkimin e ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Ajo po ashtu ka kërkuar që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare. “Kërkojmë drejtësi për Arlindën dhe për gratë e vrara. Kërkojmë që vrasja të trajtohet si urgjencë kombëtare”, ka thënë ajo.
Ndër kërkesat e protestuesve janë edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu i pavarur i sistemit të drejtësisë dhe legalizimi i sprajit për vetëmbrojtje për gratë.
Protesta është shoqëruar me thirrjet “Drejtësi për Arlindën!” dhe “Drejtësi për gratë e vrara!” Pas protestës para ndërtesës së Qeverisë, marshuesit janë nisur drejt Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (A2 Televizion)