Eksplozivi ndaj prokurorit. Pista kryesore e hetimit, detyra e Muçës dhe bashkëshortes gjyqtare

Nga A2 CNN
12 Mars 2021, 21:08 | Kronikë
Eksplozivi ndaj prokurorit. Pista kryesore e hetimit, detyra e Muçës

Shpërthimi i telekomanduar në mjetin e prokurorit Arjan Muça dyshohet të ketë ndodhur për shkak të detyrës së tij, ose të bashkëshortes gjyqtare në Gjykatën Administrative. Kjo është pista kryesore ku është përqendruar hetimi i Prokurorisë së Tiranës mbi ngjarjen e mbrëmjes së të enjtes në kryeqytet.

Me gjithë faktin se në deklarimet e dhëna prokurori dhe gjyqtarja Muça kanë mohuar ekzistencën e ndonjë konflikti, në ditët në vijim pritet të verifikohen çështje që kanë lidhje me detyrat e tyre funksionale. Sipas burimeve, mundësitë që motivi të ketë lidhje me detyrën e gjyqtares Gentiana Muça janë më të mëdha sesa me detyrën e prokurorit Muça, që prej mëse dy vitesh ishte komanduar në KLP, si pjesë e grupit të punës që përpilon raportet e aftësive profesionale të prokurorëve që kalojnë në vetting.

Referuar sasisë së eksplozivit, dëmit të shkaktuar, si edhe momentit të zgjedhur për shpërthimin e tij, hetuesit dyshojnë se qëllimi i vendosjes së lëndës plasëse ka qenë një mesazh për të kërcënuar një prej bashkëshortëve dhe jo lëndimi fizik i tyre.

Nga verifikimet paraprake, dyshohet se autori mund të ketë mbajtur në vëzhgim për disa ditë automjetin e familjes Muça, pasi e dinte me saktësi vendparkimin e tyre. Nga ana tjetër, hetuesit kanë përjashtuar mundësinë që ngjarja të kishte për qëllim shkatërrimin e pronës, për shkak të vlerës së vogël që kishte mjeti “Mercedes A Class”.

Pas ngjarjes, prokurori dhe familja e tij u morën në mbrojtje nga Policia e Shtetit në kushte të emergjencës.

Paraditen e së premtes, Muça depozitoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë kërkesë për mbrojtje të posaçme, duke pohuar se ndjehej i kërcënuar për veten dhe familjen e tij, kërkesë që u miratua.  

Përmes një reagimi, KLP kërkoi hetim këmbëngulës dhe të shpejtë të rastit, ndësa konsideroi çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos