
Kompanitë shqiptare shitën 5 miliardë lekë më pak mallra në tregjet e huaja muajin shkuar, përkthyer me kursin e sotëm në 47 milionë euro më pak. Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me majin e një viti më parë, kjo shifër është 11.7 për qind më e ulët.
Rënia më e fortë është shënuar tek eksportet e materialeve të ndërtimit apo metalet, ndjekur nga nafta e papërpunuar dhe prodhimet e drurit dhe letrës. Ndërkohë dalja e prodhimit vendas ka ndihmuar tek eksportet e ushqimeve, ndërsa rritje minimale kanë shënuar shitjet nga industria tekstile.
“Efekti i parë që ne na vjen në mendje është ai i kursit të këmbimit. Dihet që detyrimisht eksportet janë në euro dhe rënia e saj reflektohet te vlera”, tha eksperti i ekonomisë, Selim Blliku.
Nga 79.7 miliardë lekë mallra të blerë nga jashtë majin e 2022-shit shifra arriti në 80.7 miliardë muajin e shkuar.
“Për shkak të rënies së euros, tani jemi duke blerë të njëjtën sasi mallrash me më pak vlerë. Është tendenca për të importuar nga jashtë për shkak të njësisë të konvertimit dhe jo faktorëve të tjerë tregtarë”, shtoi Blliku.
Tkurrja për të tretin muaj me radhë e eksporteve, me importet nga ana tjetër që vijojnë të zgjerohen, bëri që Shqipëria të mbyllë bilancin tregtar, pra raportin mes eksporteve dhe importeve muajin e shkuar në një vlerë negative prej 37.6 miliardë lekësh apo mbi 351 milionë euro.
“Nëse rënia e euros do të vijojë, mallrat shqiptarë do të humbasin konkurrueshmërinë. Rrjedhimisht, kjo do të përkthehet në më pak tregje”, u shpreh eksperti i ekonomisë.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gjatë majit Shqipëria regjistroi rritje të ndjeshme të shitjeve në Spanjë, Kosovë dhe Greqi. E kundërta ka ndodhur me Gjermaninë, Italinë dhe Maqedoninë, shtete në të cilat kompanitë shqiptare po humbasin tregje. (A2 Televizion)