
Në një komunikim të përbashkët në Facebook, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaruan se këto dy institucione po bashkëpunojnë për detajimin e protokolleve të sigurisë, për të garantuar kufizimin e përhapjes së virusit nëpër shkolla, por pa dhënë një datë të saktë për fillimin e mësimit.
“Bashkitë të nisin përgatitjet për nisjen e shkollave në shtator, të jenë gati me maska dhe higjienizues. Kërkojmë mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e shkollave në shtator”, tha Shahini.
Ndërsa Manastirliu u shpreh: “Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim për detajimin e protokolleve të sigurisë, për të garantuar kufizimin e përhapjes së virusit. Transmetimi i sëmundjes në shkolla është i rrallë dhe me masat e duhura, ka pak gjasa të jenë mjedise të shtimit të transmetimit të virusit. Kemi eksperiencën e deritanishme me hapjen e çerdheve dhe kopshteve, ku ka pasur raste sporadike të infeksionit dhe jo shpërthime. Do të vijojmë të mbajmë të informuar qytetarët. Shëndeti vjen gjithmonë i pari”. (A2 Televizion)