
Sipas burimeve, Albert Duka ka qenë në përgjim telefonik si i dyshuar për grabitjen e parë. Por me rëndësi ka qenë edhe analizimi i pamjeve filmike, të cilat e kanë çuar policinë te automjeti i marrë me qira.
Aty është zbuluar se Robert Duka ishte personi që kishte marrë makinën me qira dhe brenda saj kishte futur monopatinën. Më pas është larguar me makinë.
Në dëshminë e tij, Robert alias Albert Duka ka deklaruar se 120 mijë eurot e vjedhura në dy filialet e bankave, më 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026, i kishte shpenzuar duke luajtur në disa kazino në Tiranë.
Policia ka kërkuar informacion në disa kazino në kryeqytet, për të konfirmuar nëse Albert Duka ka qenë klient i regjistruar si lojtar në kazino.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Dukës, policia ka gjetur vetëm 2 200 euro.
Një shumë prej 6 mijë eurosh, Duka ua ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, duke i dorëzuar secilit nga 3 mijë euro, pasi ua kishte borxh. Këtë e kanë deklaruar edhe dy miqtë, të cilët janë marrë në pyetje nga policia.
Në pyetje nga policia është marrë edhe bashkëshortja e Robert Dukës, e cila punon pranë një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Ajo ka deklaruar se shumën prej 120 mijë eurosh e kishin siguruar nga shitja e një apartamenti në zonën e stadiumit. Bashkëshortja ka deklaruar se nuk kishte pasur dijeni për përfshirjen e bashkëshortit të saj në grabitjet e bankave.
Duka ka përdorur të njëjtën metodë në të dyja grabitjet, i maskuar, me armë dhe me monopatinë. Të dyja grabitjet janë kryer në datën 2 të muajve përkatës: e para më 2 qershor 2026 dhe e dyta më 2 nëntor 2026.
Por kush është gjuetari i bankave, Albert Duka?
Robert Duka, i arrestuar së fundmi për grabitjen e dy bankave, rezulton të ketë një histori të gjatë përplasjesh me drejtësinë, e cila shtrihet edhe përtej kufijve të vendit.
Sipas të dhënave nga autoritetet greke, në vitin 2010 ai u arrestua së bashku me tre shtetas të tjerë shqiptarë, nën dyshimin për përfshirje në një organizatë kriminale që akuzohej për 28 grabitje të armatosura në supermarkete në rajonin e Atikës.
Hetimet greke zbuluan se aktiviteti i grupit dyshohej se kishte nisur që në vitin 2007 dhe kishte vijuar deri në vitin 2010. Përfitimet nga grabitjet llogariteshin në më shumë se 1.2 milionë euro.
Pas arrestimit, Duka u dërgua në një burg grek, por në vitin 2016 arriti të arratisej së bashku me disa të dënuar të tjerë nga burgu i Tirinthës.
Arratisja e tij zgjati rreth dy vite. Në vitin 2018, ai u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në vitin 2019, ai u lirua me kusht. Ndërkohë, pas arrestimit të fundit në Shqipëri, vëmendja e autoriteteve është përqendruar edhe te pasuria e tij. Policia e Tiranës pritet të nisë një hetim pasuror për të verifikuar burimin e të ardhurave dhe asetet që disponon 50-vjeçari. (A2 Televizion)