Pas dekadash pritjeje, ideja për të kaluar nga Maroku në Spanjë me makinë po rikthehet në qendër të vëmendjes. Projekti i shumëpërfolur i tunelit nën ngushticën e Gjibraltarit, i njohur si "Enlace Fijo", u zyrtarizua mbi 40 vite më parë, por kishte mbetur i pezulluar për shkak të krizave politike dhe mungesës së vullnetit të përbashkët. Sot, me Kupën e Botës 2030 që do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, është ringjallur shpresa për të bërë realitet këtë projekt ambicioz.
Që në fillim, u morën në konsideratë disa mundësi, si ura të fiksuara mbi shtylla apo lundruese dhe lloje të ndryshme tunelesh. Por në vitet '90 u konkludua se tuneli i gërmuar ishte alternativa më e mirë. Ai ka ndikim minimal në qarkullimin detar, është më i lirë për t’u ndërtuar dhe teknologjia e sotme e bën realizimin më të mundshëm se kurrë, shkruan A2 CNN.
Ky projekt nisi të formësohej për herë të parë në vitin 1869, por ngeci për dekada me radhë. Në vitin 1979, pas nënshkrimit të një deklarate të përbashkët midis mbretërve Juan Carlos I dhe Hassan II, projekti mori frymë të re, shkruan A2. U krijuan dy shoqëri, njëra spanjolle (SECEFSA) dhe tjetra marokene (SNED), të cilat edhe sot vazhdojnë punën për ta çuar përpara ndërtimin e tunelit.
Nëse gjithçka ecën sipas planit, ky tunel mund të bëhet një simbol i ri i bashkëpunimit ndërkontinental dhe një nga veprat më të mëdha inxhinierike të kohës sonë. (A2 Televizion)