Vijon lufta mes Izraelit dhe Iranit, Netanyahu: Vrasja e Khameneit do të mbyllte konfliktin

Nga Rosalba Bejdo
2025-06-17 11:14:00 | Bota

Vijon lufta mes Izraelit dhe Iranit, Netanyahu: Vrasja e Khameneit do të

Izraeli u zgjua sërish nën zhurmën e sirenave të alarmit mëngjesin e së martës, teksa Irani lëshoi një valë të re raketash në kundërpërgjigje të sulmeve izraelite. Shpërthime të forta u dëgjuan në Jerusalem dhe Tel Aviv, ku u aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore. Autoritetet iraniane thonë se gjatë natës kanë shkatërruar objektiva strategjikë duke përdorur dronë.

Shpërthime dhe bombardime nga ajri u dëgjuan edhe në Teheran, ndërsa Izraeli vijon pa u ndalur operacionin “Rising Lion”. Pasditen e së hënës në shënjestër u vu televizioni shtetëror i Iranit, i cili u godit nga një sulm i fuqishëm, i dëshmuar gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Sipas raportimeve, 3 punonjës mbetën të vrarë. Izraeli pretendon se kishte goditur me sukses të tjerë objektiva ushtarakë dhe se kishte vrarë Ali Shadmanin, kreun e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, shkruan A2 CNN.

Në një fjalim televiziv, kryeministri Benjamin Netanjahu tha se Izraeli kishte dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme programet balistike dhe bërthamore të Iranit, por shtoi se forcat e tij kishin nevojë për më shumë kohë.

“Nuk habitem që ata duan t’i rikthehen negociatave, pasi ne po i godasim rëndë në terren. Sigurisht që duan të ndalen – të ndalen dhe të vazhdojnë të ndërtojnë makineri vdekjeje, si armët bërthamore që kërcënojnë ekzistencën tonë, ashtu edhe raketat balistike. Jemi të detyruar të eliminojmë këto dy kërcënime. Nëse ka ndonjë mënyrë tjetër, na e thoni. Por ne ua dhamë një mundësi – 60 ditë.”

Në fjalimin e tij, Netanjahu nuk përjashtoi mundësinë e vrasjes së udhëheqësit suprem, Ajatollahut Ali Khamenei, duke besuar se diçka e tillë nuk do të përshkallëzonte konfliktin, por do t’i jepte fund atij.

Nga Teherani vijnë raportime për largime masive nga kryeqyteti, me radhë të gjata automjetesh nëpër rrugë dhe pika karburantesh. Qytetarët pyesin se si mund të largohen, teksa evakuimi i 10 milionë njerëzve është i vështirë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i ka kërkuar Katarit, Omanit dhe Arabisë Saudite të ndikojnë te Trump për të bindur Izraelin të ndalë luftën, duke shprehur gatishmëri për negociata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos