
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi në Uashington se në ditët në vijim do të thërrasë një takim me liderët e Suedisë, Finlandës dhe Turqisë për të kapërcyer kundërshtimin e Ankarasë për hyrjen e dy vendeve nordike në Aleancë.
"Ne jemi në kontakt të ngushtë me Turqinë, një aleat i rëndësishëm i NATO-s, dhe me dy vendet që kanë paraqitur kandidaturën e tyre për t'u bashkuar me NATO-n, Finlandën dhe Suedinë," tha ai.
Pak ditë më parë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan këmbënguli në qëndrimin e tij kundër anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Ai ka deklaruar se Ankaraja nuk mund të miratojë kërkesat e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s, për sa kohë që ai të jetë president i Republikës së Turqisë. (A2 Televizion)