
Erzeni rrezikon seriozisht të mos marrë pjesë në edicionin e ri të Kategorisë Superiore. Skuadra shijakase, e cila ishte një prej befasive të gjysmës së parë të sezonit dhe në fund arriti të siguronte mbijetesën në ndeshjen play-out, është praktikisht e shkrirë.
Për shkak të mungesës së financave dhe kostove të larta të mbajtjes së një ekipi futbolli, presidenca është larguar. Ekipi ka mbetur në mëshirë të fatit sepse askush nuk merr përsipër të investojë për ta mbajtur aktiv në kampionat.
Këtë të enjte, klubi zhvilloi një mbledhje ku u konfirmua se nuk ka financa dhe nuk ka investitorë potencial. Madje, aty u konfirmua se me gjasë Erzeni do të heqë dorë nga pjesëmarrja në Kategorinë Superiore dhe do ta rinisë rrugëtimin nga futbolli amator, praktikisht Kategoria e Tretë.
Shpenzimet për ekipin kanë qenë të papërballueshme. Përveç pagave të futbollistëve dhe stafit teknik, apo kostot për regjistrimin në kampionat dhe udhëtimet, faturat e Erzenit shtoheshin nga rrethana të tjera.
Stadiumi në Shijak nuk është i licencuar për elitën dhe ekipi detyrohej të luante në Durrës, duke paguar për shfrytëzimin e impiantit “Niko Dovana”. Edhe këto fonde mungojnë, duke bërë që klubi të heqë dorë nga pjesëmarrja në kampionatin e ri.
48 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për Erzenin. Klubi dhe skuadra presin të mësojnë nëse bizneset do t’i përgjigjen thirrjes për të shpëtuar ekipin. Në të kundër, rinisja nga amatorët do të ishte e pashmangshme. Në vend të tyre në Superiore mund të ngjitet Korabi, që humbi finalen play-out pikërisht përballë Erzenit. Një tjetër alternativë do të ishte edhe ngjitja e Flamurtarit. (A2 Televizion)