
Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga ndeshjet në arenën europiane, Vllaznia vijon përgatitjet intensive. Me shumë ndryshime nga një sezon më parë, kuqeblutë duken se janë rindërtuar ndonëse priten akoma përforcime për sezonin e ri. Këtë e ka theksuar dhe drejtori sportiv i klubit, Elvis Plori, i cili tregoi pritshmëritë që ai ka në Conference League
"Të them të drejtën, skuadra ka marrë një farë forme. Ka pasur shumë largime, me ndryshimet në skuadër që do ta tregojnë në vazhdim se si janë të gjitha afrimet që kanë ardhur. Është një skuadër që është e organizuar. Një pjesë është e re. Po ndjekim një filozofi të re në skuadër. Kemi afruar lojtarë që kanë një moshë të re dhe kemi bërë të gjitha kontratat afatgjata. Do të ndërtojmë një Vllazni që mos të jetë vetëm sot për sot, por një Vllazni më jetëgjate".
Plori theksoi se skuadra ende nuk është e kompletuar pasi priten të firmosin të tjerë lojtarë.
"Unë mendoj se është një Vllazni që do të konkurrojë fort. Është një Vllazni që ka një organizim perfekt. Kanë një dëshirë shumë të madhe për të punuar dhe të gjitha këto më bëjnë të jem optimist. Por ne nuk e kemi mbyllur akoma merkaton. Shpresoj që para ndeshjes së parë në Europë të kemi një ose dy afrime të tjera. Gjithsesi, do të shikojmë dhe paraqitjen që do të bëjmë në Europë dhe pastaj të formojmë ekipin. Të mos nxitohemi. Kjo është arsyeja pse unë mendoj mos të marrim shpejt lojtarë. Nuk dua që të marrë lojtarë dhe të ngrohin stolin. Lojtarët që do të afrohen te Vllaznia do të jenë lojtarë që kanë një të ardhme”.
Vllaznia luan ndeshjen e parë të turit të parë në Conference League, përballë irlandezëve të Linfild në datën 13 korrik në transfertë. (A2 Televizion)