
Në Kosovë java politike nis me vizitën e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Mesazhet kryesore të tyre për institucionet në vend pritet të jenë rifillimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, përfshirë Asociacionin e komunave serbe. Sipas njohësve të procesit të dialogut pjesë do të jenë kërkesat e sekretarit amerikan, Blinken për gjetjen e zgjidhjes për të pagjeturit dhe marrëveshjen për energjinë në veri. Përshpejtimi i dialogut dhe unifikim qëndrimesh nga pala kosovare pritet të jetë thelbi i takimeve, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi
“Besoj se zoti Lajçak dhe Escobar do t’i kenë të unifikuara kërkesat sa i përket palës kosovare. ShBA-të po mundohen në një mënyrë të riformatizojnë dialogun, përshpejtuar me tema të caktuara. Ndoshta për t’i dhënë edhe një kornizë me afate, pasi nuk mundet të shkojë në dialog për dhjetë vite dhe të flitet për tema të njëjta. Po besoj se kërkesat do të ndërlidhen edhe me kërkesën e sekretarit Blinken, sa i përket marrëveshjes për energjinë në veri të Kosovës, të pagjeturit dhe normalisht për të gjitha vendimet të gjykatave që duhet të zbatohen nga institucionet e Kosovës”, thotë ai.
Presion më të madh tek Escobar dhe Lajcak për themelimin e Asociacionit pret, analisti politik, Arton Demhasaj.
“Mesazhet do të jenë të qarta, ato kanë me pa se cili është qëllimi politik në Kosovë për këto mesazhe. Pastaj do të priten edhe zgjedhjet në Serbi që do të mbahen në fillim të prillit, sapo të krijohen institucionet e reja në Serbi me gjasë shumë shpejt mund të ketë takime që do të mbahen me pretendimin që marrëveshja mund të afrohet. Mesazhet do t’i jepen ndoshta edhe në mënyrë të shkruar para kryeministrit Kurti, që duhet urgjentisht të rikthehet në tavolinën e dialogut me pretendimin se shumë shpejt të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të përfundonte me njohje reciproke. Me gjasë, presioni i Lajçak edhe Escobar do të lidhet me çështjen krijimit të Asociacionit dhe pastaj të ketë një marrëveshje përmbyllëse që do të përfundonte me njohje reciproke”, thotë ai.
Megjithë vizitën treditore të amerikanit Escobar dhe europianit Lajçak nuk ka vend për optimizëm për një dinamikë të madhe të dialogut para zgjedhjeve në Serbi.
“Nuk mendoj se mund të përshpejtojë (dinamikën e dialogut) të paktën para prillit. Edhe nëse mund të ketë ndonjë takim mund të jetë sa për t’i qetësuar palët. Në një mënyrë për të përcjellë një fotografi se palët kanë gjetur mirëkuptim. Do të jetë më shumë një takim sa për të treguar një paqe mes dy kombeve. Besoj se takimet më të nxehta do të bëhen pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi”, tha Arifi.
E ndërsa nga 31 janari deri më 2 shkurt, SHBA e BE do të këmbëngulin për avancimin e dialogut, vizita e gjen kryeministrin Kurti në një situatë të brendshme të tensionuar për shkak të masave të ashpërsuara të qeverisë së tij kundër Covid-19 dhe në valë protestash kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. (A2 Televizion)