
Ashtu siç ishte paralajmëruar, FDA i dha dritën jeshile aplikimit të dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit te personat me imunitet të dobët. Administrata për ushqimet dhe ilaçet autorizon përdorimin emergjent të dozës së tretë të vaksinave të Pfizer/Biontech dhe Moderna, për një kategori të caktuar njerëzish, përfshirë ata që u janë nënshtruar transplanteve apo të tjerë më sëmundje kancerogjene.
Doza përforcuese duhet të aplikohet të paktën 28 ditë pas dozës së dytë. Sipas FDA, pritet edhe drita jeshile nga qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve dhe kur kjo të ndodhë do të nisë pa humbur kohë, injektimi i dozës përforcuese.
“Siç e kemi thënë për javë të tëra, të dhënat e vazhdueshme tregojnë se kategori të caktuara njerëzish; si ata që u janë nënshtruar transplanteve apo pacientët me kancer mund të mos kenë një reagim të fortë imunitar me vetëm dy doza të vaksinës”, thotë Rochelle Walensky, drejtoresha e CDC.
"Që të jemi të qartë, bëhet fjalë për një numër të vogël popullsie, vetëm 3 për qind e personave të rritur". Ekspertët mendojnë se për momentin, persona të tjerë të vaksinuar plotësisht, nuk kanë nevojë për dozë të tretë.
Izraeli ishte i pari që mori një vendim të tillë, e brenda pak ditëve ka aplikuar dozën përforcuese te persona mbi 60 vjeç e me imunitet të dobët. Duke nisur nga shtatori, shembulli do të ndiqet nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. (A2 Televizion)