“Film aksion” në Kenia, policët e armatosur shmangin grabitjen e bankës

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2021, 22:12 | Bota

Skena të denja për një film janë regjistruar këtë të martë në Kenia, ku Policia arriti të shmangte grabitjen e një banke ne qytetin Kisumu, në perëndim të vendit.

Efektivët e policisë shkëmbyen zjarr me grabitësit për disa orë, tha një zyrtar i qeverisë për Reuters. Në pamjet e siguruara nga Reuters, policët shihen teksa ngjiten në ballkone dhe futen në dritaret e godinës me armë në duar për të kapur grabitësit, ndërsa jashtë bankës turma të mëdha njerëzish u mblodhën për të parë atë që po ndodhte.

Incidenti ku pati edhe shkëmbin zjarri ndodhi në një degë të “Equity Bank”. Pas përpjekjes së dështuar për të grabitur bankën, më shumë se 20 persona, mes të cilëve edhe punonjës të bankës, u morën në pyetje në polici.

Pas katër orëve përballje me armë, banka u vu nën kontrollin e policëve, por grabitësit u zhdukën. Shefi i Policisë, Magu Mutindika, tha se disa prej grabitësve, që mendohet të jenë katër, mund të jenë maskuar si staf i bankës apo klientë dhe kanë arritur të largohen gjatë operacionit të evakuimit.

“Kemi gjetur një këmishë që beosjmë se i përket një prej personave që kemi në komisariat. Nëse e gjejmë, do të na japë më shumë detaje”, tha Mutindika për gazetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos