Financimi i ekonomisë, kredia rritet, por nën nivelet e dëshiruara

Nga A2 CNN
1 Shtator 2021, 16:37 | Ekonomi
Financimi i ekonomisë, kredia rritet, por nën nivelet e

Financimi i ekonomisë nga sistemi bankar, pavarësisht rritjes së muajve të fundit, është ende i pakënaqshëm sipas ekspertëve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë arriti në 618 miliardë lekë në fund të Korrikut. Por pesha në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ra në 38% nga 38.9% në fund të vitit të kaluar.

Për ekspertin Selami Xhepa, kjo ecuri relativisht e dobët e kreditimit, bie ndesh me pritshmëritë për rritje të lartë ekonomike në vitet e ardhshme. Rritja e kredisë u udhëhoq nga segmenti i individëve, kryesisht për huatë e reja për blerje banese.

Ndërsa nga bizneset, zgjeruan huanë kryesisht ato sektorë që përfituan nga pandemia dhe rrjedhimisht perceptohen me risk më të ulët nga bankat, si: teknologjia dhe shëndetësia, së bashku me ndërtimin dhe turizmin; ndërsa sektorë me peshë si industria përpunuese, ajo nxjerrëse dhe shërbimet madje tkurrën kreditimin.

Kur ekonomia botërore nuk është stabilizuar ende pas krizës shëndetësore, Xhepa i druhet skenarëve që mund të prekin edhe ekonominë tonë.

Në rast të një skenari të tillë, sipas Xhepës do të ndiheshin goditjet edhe në sistemin financiar vendas, ku risku më i madh vjen veçanërisht nga portofoli ende i lartë i kredive me probleme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos