Niko Peleshi u zgjodh kreu i ri i Kuvendit të Shqipërisë pasi mori 84 vota pro teksa opozita ndonëse u shpreh paraprakisht se nuk do të merrte pjesë në votim, zgjodhi të mbushte kutinë e votimit me fotot që mbante në duar, përmes të cilave denonconte korrupsionin e qeverisë.
Kreu i grupit të PD, Bardhi deklaroi para votimit se kjo shumicë nuk ka legjitimitet, teksa lëshoi akuza dhe ndaj Niko Peleshit, duke e cilësuar atë si mik të Klodian Zotos.
“Kjo shumicë nuk ka legjitimit për të zgjedhur kreun e Kuvendit. Kjo është njësoj si të vesh Klodian Zoton. Me këtë propozim po na tregoni se filozofia juaj është krim, vjedhje, korrupsion. Ne nuk marrim pjesë në votim”, tha Bardhi.
64 deputetë kishin firmosur pro emrit të Niko Peleshit për të kandiduar për Kryetar të Kuvendit.
Votimi u parapri nga betimi i 140 deputetëve të rinj të Kuvendit, mandati i të cilëve u verifikua nga një komision i përkohshëm që u ngrit gjatë paradites së të premtes.
Kandidatura e Niko Peleshit për këtë post u shpall një ditë më parë nga Kryeministri Rama në Asamblenë e Përgjithshme të PS.
Seanca e parë, nisi me tensione të ngjashme me ato të sesionit të kaluar, ku deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren, teksa në skenë u shfaq edhe garda.
(A2 Televizion)