Fondet publike, Çoçoli: Dëmet më të mëdha nga abuzimet me tenderat

Nga A2 CNN
12 Maj 2020, 16:56 | Ekonomi
Fondet publike, Çoçoli: Dëmet më të mëdha nga

Perceptimi i dobët i shqiptarëve për transparencë dhe llogaridhënie mbështetet edhe në të dhënat e institucioneve zyrtare.

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik në fund të vitit 2019 arriti në 27.3 miliardë lekë.

Eksperti për ekonominë Fatos Çoçoli, deklaron se abuzimet më të mëdha bëhen nga institucionet që kanë edhe tortën më të madhe të buxhetit.

"Institucionet me shkeljet më të mëdha janë Autoriteti Rrugor Shqiptar, KESH me investimet e tij që duhen parë me lupë, kemi institucionet e tjera që përdorin naftën, arin e zi. Dëmi më i madh qëndron te këto struktura edhe angazhojnë paratë më të mëdha të buxhetit të shtetit".

Sipas Fatos Çoçolit, situata e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë po keqpërdoret veçanërisht në drejtim të prokurimeve publike, duke lënë hapësirë të madhe për abuzime për shkak të pamundësisë së kontrollit të procedurave.

“Prokurimet janë kryer pa kontrollet e duhura, duke mos ndjekur të gjitha rregullat e një tenderimi klasik. Mundësia e abuzimit është shumë e madhe prandaj edhe dëmi ekonomik që do të zbulojë Kontrolli i Lartë i Shtetit do të jetë më i lartë”.

Dëmi ekonomik i akumuluar prej vitit 2013, sipas shifrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit arrin shifrën alarmante prej 381,4 miliardë lekësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos