
Makinat fluturuese mund të lidhen ngushtë më filmat fantastiko-shkencor, por garuesit në kampionatin e hedhjes së makinave në Britaninë e Madhe bënë të pamundurën për të sfiduar gravitetin. Të patrembur nga rrokullisjet dhe zjarret drejtuesit e guximshëm përshpejtonin automjetet përgjatë një platforme të përpjetë në përpjekjen për të kapërcyer një radhë makinash të vjetra, e për të prekur shëndoshë e mirë token në anën tjetër.
Edhe pse nuk pati lëndime serioze, ekipe të ndërhyrjes së shpejtë qëndruan në pritje për t’u ardhur në ndihmë garuesve. Bradly Lock, drejtues i një automjeti të tipit Ford Fiesta u kurorëzua si kampioni i këtij viti, duke bindur jurinë dhe spektatorët se hedhja e realizuar prej tij ishte më e mira. Çmimi për të vënë jetën në rrezik? Një shifër simbolike prej 60 dollarësh, dhe sigurisht një vend nderi në rimorkiator… (A2 Televizion)