
Përfaqësuesja italiane e futbollit do t’i nënshtrohet këtë të hënë procesit të vaksinimit, si masë shtesë për shmangien e ndonjë tjetër shpërthimi të Covid-19 në prag të finaleve të Kampionatit Europian, që nisin muajin e ardhshëm.
Në vendin fqinj po i kushtohet vëmendje maksimale sigurisë shëndetësore të futbollistëve dhe stafit, duke marrë parasysh vatrën e infeksionit që u krijua pak javë më parë në kualifikueset e Botërorit.
Italia ka përjashtuar mundësinë e vaksinimit me AstraZeneca për shkak të kohëzgjatjes së aplikimit të dozës së dytë, e cila do të vinte në një periudhë të papërshtatshme për skuadrën. Sipas mediave italiane, “të kaltrit” kanë zgjedhur vaksinën e Modernas, e cila parashikon marrjen e dozës së dytë pas tre javësh, duke garantuar kohë rikuperimi edhe në rast të simptomave të mundshme. (A2 Televizion)