
Gjermania bëhet gati të zbusë edhe më tej kufizimet, mes përmirësimit të vazhdueshëm të situatës pandemike.
Vendi ishte mes të parëve që lehtësoi masat duke lejuar shërbesat fetare dhe rihapjen e dyqaneve, por tani po mendohet të bëhet një hap tjetër në këtë drejtim.
Kancelarja Merkel do të diskutojë me krerët e 16 landeve lidhur me planin e ri. Mbi bazë të draft-marrëveshjes, vendimet se sa shpejt të do të bëhet rihapja, do të merren nga shtetet e jo qeveria federale.
Landet po përpiqen të ecin përpara në ritme të ndryshme, me Bavarinë që ka në plan të rihapë restorantet më 18 maj, ndërsa Meklenburg, Pomerania perëndimore planifikon ta bëjë të shtunën. Sipas agjencisë së lajmeve DPA, qeveria synon qe të gjithë nxënësit të kthehen gradualisht në shkolla. Por, nëse kurba e infektimeve do të rritet, plani parashikon rivendosjen e kufizimeve. Gjermania raportoi 947 raste me Covid-19 të mërkurën, ndërsa viktimat ishin 165.
Në Spanjë, jetët e humbura i tejkaluan 200 për herë të parë që prej së shtunës, me 244 viktima të shënuara në 24 orët e fundit. Kryeministri Pedro Sanchez i kërkoi parlamentit të zgjasë gjendjen e emergjencës për disa javë të tjera, duke thënë se ishin shumë afër fundit, por se nuk kishin mbërritur ende atje.
Gjithashtu, Senati francez votoi projektligjin që zgjaste gjendjen e emergjencës shëndetësore deri në 10 korrik. Deri më sot, Franca numëron mbi 25 mijë e 500 viktima nga Covid-19, 330 prej të cilëve në 24 orët e fundit. Britania e Madhe, e cila tejkaloi Italinë, duke u bërë vendi i dytë në botë më me shumë viktima nga koronavirusi, ka hartuar një plan me tre faza për lehtësimin e kufizimeve, siç raporton “Times”. Faza e parë do të parashikojë rihapjen e dyqaneve të vogla e bizneseve, ndërsa e dyta do të përfshijë qendrat tregtare dhe rikthimin e më shumë qytetarëve në punë. (A2 Televizion)