
Izraelitët po u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet që shumëkush i konsideron ndër më vendimtaret në historinë e vendit.
Sipas raportimeve, një numër rekord prej 70 mijë personash janë kthyer me avion nga jashtë vendit për të votuar, ndërsa gjysmë milioni qytetarë pritet të votojnë për herë të parë.
Sondazhet e publikuara të premten sugjerojnë se kryeministri aktual Benjamin Netanyahu është në një garë thuajse të barabartë me ish-shefin e ushtrisë, Gadi Eisenkot, për postin e kryeministrit, përcjell A2CNN.
Megjithatë, asnjë nga dy blloqet politike nuk parashikohet të sigurojë 61 mandatet e nevojshme për të formuar një qeveri me shumicë parlamentare. Kjo do të thotë se negociatat dhe përplasjet politike mund të zgjasin me javë ose edhe me muaj.
Sistemi izraelit i përfaqësimit proporcional ka bërë që qeveritë të formohen gjithmonë përmes koalicioneve. Gara për pushtet mund të prodhojë, dhe ka prodhuar, aleanca të papritura. Por këto zgjedhje duken veçanërisht të ngushta, ndërsa vijat e kuqe mes palëve janë përcaktuar tashmë.
Eisenkot, i cili drejton partinë e sapoformuar Yashar, është figura kryesore e të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”. Ky bllok përbëhet nga parti që kanë dallime ideologjike, por që bashkohen nga synimi për të larguar Netanyahu-n nga pushteti.
Mes drejtuesve të tjerë të këtij blloku janë ish-kryeministri Naftali Bennett dhe Avigdor Lieberman, të dy politikanë të së djathtës me qëndrime të ashpra për çështjet e sigurisë, si dhe Yair Golan, një ish-gjeneral me prirje të majta.
Për Netanyahu-n, një figurë dominuese e politikës izraelite, i cili mori për herë të parë detyrën e kryeministrit në vitin 1996, rikthimi në pushtet do të varet nga krijimi i një tjetër aleance me partitë e ekstremit të djathtë dhe ato ultraortodokse, të cilat përbëjnë koalicionin e tij aktual qeverisës. Ky koalicion konsiderohet më i djathti në historinë e Izraelit.
(A2 Televizion)