
Gjermania zgjat me tre javë izolimit, duke paralizuar thuajse plotësisht vendin për festën e Pashkëve, në përpjekjen për të frenuar një valë të tretë të infektimeve me koronavirus. Pas bisedimeve me liderët rajonalë, kancelarja Angela Merkel tha se kufizimet aktuale do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri në 18 prill. Masat do të jenë edhe më të ashpra nga 1 deri në 5 prill, gjatë Pashkëve, kur shumica e dyqaneve do të mbyllen, grumbullimet do të ndalohen, e qytetarët do të detyrohen të qëndrojë në shtëpi.
“Jemi në garë për tu vaksinuar e për të ndjerë sa më shpejt efektet. Për në ka dy strategji kryesore; kujdes dhe fleksibilitet. Por, jemi gjithashtu në një situatë shumë serioze, me rastet e reja që po rriten dhe shtretërit në terapitë intensive që po mbushen sërish”, u shpreh Merkel.
Ndërsa njoftoi kufizimet e reja pas bisedimeve maratonë më krerët e 16 landeve, Merkel tha se varianti më i transmetueshëm britanik ishte bërë dominues në Gjermani, duke e zhytur vendin në atë që e quajti një pandemi të re.
“Praktikisht kemi një virus të ri, me karakteristika të tjera. Është më vdekjeprurës e më infektues”, tha Merkel.
Rastet me koronavirus janë rritur rreth Europës gjatë javëve të fundit, ndërsa fushata e imunizimi po përballet më vështirësi e vonesa për shkak të mungesës së vaksinave. Në Gjermani niveli i infektimit është rritur në 100 për 100 mijë banorë, me mbi 7400 raste dhe 250 vdekje të raportuara në 24 orët e fundit. (A2 Televizion)