Hidhet dritë mbi hetimet e FBI për 11 shtatorin, publikohen dokumentet sekrete

Nga A2 CNN
12 Shtator 2021, 07:36 | Bota
Hidhet dritë mbi hetimet e FBI për 11 shtatorin, publikohen dokumentet

Byroja Federale e Hetimit publikoi serinë e parë të dokumenteve që lidhen me hetimin e saj mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe mbështetjen e dyshuar të qeverisë saudite për rrëmbyesit e avionëve.

Dokumenti i deklasifikuar, i cili është përgatitur gjatë vitit 2016, jep hollësi rreth punës së FBI për të hetuar mbështetjen logjistike të supozuar që një konsull saudit dhe një agjent i dyshuar i inteligjencës saudite në Los Anxhelos, i dhanë dy prej terroristëve që rrëmbyen aeroplanët më 11 shtator.

Dokumenti, i publikuar në 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse, ende përmban redaktime të rëndësishme.

Ai jep detaje për lidhjet e shumta dhe dëshmitë që nxitën dyshimet e FBI-së për Omar al-Bayoumi, i cili supozohej se ishte një student saudit në Los Anxhelos, por të cilin FBI dyshonte se ishte një agjent i inteligjencës saudite.

Dokumenti i FBI e përshkruan atë si të përfshirë thellë në ofrimin e ndihmës në udhëtim, strehim dhe financim të dy sulmuesve.

Publikimi i këtyre dokumenteve sekrete 20 vite më pas, u bë i mundur pas një urdhri ekzekutiv nga Presidenti amerikan Joe Biden.

Biden ishte paralajmëruar nga më shumë se 1,800 amerikanë të prekur nga sulmet terroriste, përfshirë familjarë të viktimave dhe të mbijetuar që të mos merrte pjesë në asnjë nga ceremonitë e shënimit të 20 vjetorit të kësaj ngjarje të rëndë, nëse nuk i deklasifikonte dokumentet që potencialisht tregojnë lidhjet e qeverisë saudite me kamikazët e 11 shtatorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos