Si ndryshoi bota pas 11 Shtatorit?

Nga A2 CNN
11 Shtator 2021, 18:07 | Bota
Si ndryshoi bota pas 11 Shtatorit?

Gjithçka ishte në paqe të plotë… Më pas mbretëroi kaosi, frika dhe terrori…

11 shtator 2001, një datë që pavarësisht gjithçkaje, të gjithë e mbajnë mend mirë se ku ishin, çfarë po bënin dhe çfarë po shikonin në momentin kur mediat ndërprenë transmetimet për të informuar njerëzit se ç’po ndodhte në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të ishin pikërisht këto sulme terroriste ndaj Kullave Binjake dhe Pentagonit që do të ndryshonin botën totalisht.

Politika: Terrorizmi, një fjalë që më përpara thuajse nuk ekzistonte në diskurset politike, u shndërrua në kryefjalë të çdo fjalimi të udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara.

“Çdo komb, në çdo rajon, tani ka një vendim për të marrë. Ose jeni me ne, ose me terroristët. Nga kjo ditë e tutje, çdo komb që vazhdon të strehojë ose mbështesë terrorizmin do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një regjim armiqësor”

George W. Bush, president, 20 shtator 2001

E konsumuar nga frika, pikëllimi dhe zemërimi, Amerika u drejtua nga liderët e saj duke kërkuara veprim. Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë u përgjigjën me një zgjerim të paprecedentë të ushtrisë, fuqisë ligjzbatuese dhe të inteligjencës me synimin kryesor çrrënjosjen dhe ndalimin e terroristëve, brenda dhe jashtë vendit. Ky do të ishte vetëm fillimi. Lufta globale ndaj terrorit u bë çështje kryesore e Shtëpisë së Bardhë. Një muaj pas 11 Shtatorit, trupat amerikane pushtuan Afganistanin, duke nisur kështu fushatën më të madhe ushtarake në historinë e Shteteve të Bashkuara. Me mbështetjen e aleatëve të NATO-s, synimi ishte shpërbërja e Al Kaeda-s, shtypja e talebanëve dhe vrasja e Osama bin Laden, organizatorin e sulmeve në Kullat Binjake.

Mbështetja amerikane për Luftën kundër Terrorit u përzie pasi fushata vazhdoi për vite me radhë në një përpjekje për të synuar celulat e shumta terroriste dhe regjimet ekstremiste në të gjithë botën. Mijëra trupa amerikane u vranë në dy dekadat e para të Luftës kundër Terrorit dhe shumë të tjerë u kthyen në shtëpi me plagë fizike dhe psikologjike.

Udhëtimet: Një nga aspektet më shqetësuese të sulmeve të 11 shtatorit ishte fakti që 19 rrëmbyes të Al Qaeda-s jo vetëm që hynë brenda një avioni pasagjerësh me armë, por edhe u futën me dhunë edhe në kabinën e pilotit. Dështimi në aparatin e inteligjencës amerikane për të identifikuar terroristët dhe ai në sistemin e sigurisë së aeroportit për t’i ndaluar ata, bëri që sektori i udhëtimeve ajrore të ndryshonte përgjithmonë. Përpara 11 Shtatorit, udhëtarët nuk prisnin gjatë në aeroporte pasi nuk kishte kontrolle të mjeteve të identifikimit. Në nëntor të vitit 2001, Kongresi autorizoi krijimin e Administratës së Sigurisë së Transportit.

Agjencia e re federale vuri në zbatim protokolle të reja sigurie më rigoroze: një divizion me uniformë për të skanuar udhëtarët, kontrollimi I biletave të fluturimit dhe mjeteve të identifikimit u bë I detyrueshëm për të kaluar në bordin e avionit, laptopët dhe pajisjet e tjera elektronike duhej të hiqeshin nga valixhet, ndërsa u vendos një masë e caktuar për shishet e mbushura me lëngje që mund të merreshin me vete, gjithashtu u vendosën dhe skanues për objekte metalike që aktualisht janë zëvendësuar me skanues të gjithë trupit. Agjentët e Administratës së Sigurisë së Transportit u trajnuan edhe për të dalluar “sjelljet e dyshimta” të personave. Nëse dikush vërehej duke kapur bagazhin fort, duke lëvizuar në mënyrë të hutuar dhe çorientuar, dhe që kishte shenja të heqjes së mjekrës në ditën e fundit, shoqërohej për kontrolle shtesë.

Këto standarde sigurie Amerikane u adoptuan në të gjitha aeroportet e botës, me synimin për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm për udhëtimet. Shtetet e Bashkuara shkuan edhe më tej, duke krijuar Qendrën për Skanimin e Terroristëve në Byronë Federale të Hetimit, që përpiloi një listë të kuqe me qindra mijëra individë, duke iu ndaluar udhëtimet 6 mijë prej tyre, përfshirë 500 amerikanëve.

Opinioni publik: Në Shtetet e Bashkuara ndryshoi brenda pak ditëve pas sulmeve terroriste. Ai që para 11 Shtatorit konsiderohej mik, papritur u kthye në armik dhe shënjestër paragjykimesh racore. I frymëzuar nga nuancat patriotike, një amerikan në Arizona kërkoi hakmarrje personale teksa vrau me armë një person me veshje tradicionale indiane, pasi mendonte se ishte mysliman. Më pas, qëlloi në drejtim të një kleriku nga Libani dhe të banesës së një familjeje amerikano-afgane. Presidentit të atëhershëm, George W Bush, iu desh të ndërhynte për të frenuar këtë paragjykim.

Pavarësisht se politikanët dhe zbatuesit e ligjit deklaruan në mënyrë të përsëritur se Islami ishte një fe paqësore, mësimet e vërteta të së cilës ishin shtrembëruar nga ekstremistët terroristë, shumë njerëz në Amerikë dhe në mbarë botën ende i barazuan sulmet e 11 Shtatorit me Islamin dhe kërkuan hakmarrje ndaj kujtdo që vetëm sa dukej si mysliman. Pas 11 Shtatorit, rastet e racizmit u shtuan ndjeshëm. Kushdo që hynte në stadium, supermarket, koncert dhe evente apo hapësira publike dhe kishte sjellje apo veshje që ngjasonin me ato të Lindjes së Mesme apo të botës Arabe, binte pre e diskriminimeve dhe shpeshherë edhe e kontrolleve të rrepta të forcave të rendit. Nuancat më të theksuara të paragjykimit gjendeshin shpesh në aeroporte. Atë e përkeqësoi më shumë edhe formimi i shumë organizatave terroriste, si ajo e ISIS.

Emigracioni: 11 Shtatori solli dhe krijimin e Departamentit të Sigurisë së Brendshme në Shtetet e Bashkuara, një zyrë që bashkoi 22 agjenci qeveritare. Nën ndikimin e sulmeve terroriste, ky departament dyfishoi numrin e deportimeve nga vendi. Rekordi u arrit nën presidencën e Barack Obamës, me një shifër që shkoi në 400 mijë emigrantë të deportuar në vit. Gjysma për shkelje kriminale, edhe pse shumica jo për krime të dhunshme.

Survejimi: Akti Patriotik u miratua vetëm 6 javë pas 11 Shtatorit teksa ligjvënësit nxituan të rregullonin dështimet e inteligjencës që lejuan terroristët të hynin në Shtetet e Bashkuara dhe të ndërmerrnin komplotin më vdekjeprurës në historinë amerikane. Akti i diskutueshëm autorizoi ndryshime gjithëpërfshirëse në mënyrën se si agjencitë e inteligjencës vendase si FBI kryenin survejime. Frika, sërish, ishte që sulmet e 11 Shtatorit ishin vetëm fillimi dhe që më shumë celula terroriste ishin aktive në qytetet amerikane në pritje për të goditur.

Për të zbuluar këta terroristë, Kongresi i mundësoi FBI dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, aftësi të reja për të mbledhur dhe ndarë të dhëna. Për shembull, Akti Patriotik u dha mundësi agjencive të inteligjencës që të kontrollonin rekordet e një individi dhe historikun e kërkimeve në internet me pak mbikëqyrje gjyqësore. Agjentët mund të kontrollojnë një shtëpi pa njoftuar pronarin dhe të përgjojnë një linjë telefonike pa përcaktuar shkakun e mundshëm.

Grupet për liritë civile luftuan këto ndryshime, por nuk mundën që të rrëzonin autorizimet qeveritare që inteligjenca të përgjojë telefonatat, mesazhet dhe e-mail-et nën premisën e shënjestrimit të shtetasve të huaj që dyshohen për terrorizëm. Më shumë siguri në këmbim të privatësisë, kjo ishte fatura e shtrenjtë që 11 shtatori detyroi botën ta paguante. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos