Megjithë humbjen në finalen kundër Argjentinës, lojtarët e Francës janë pritur si heronj. 10 mijë tifozë u mblodhën në shesh për të përshëndetur idhujt e tyre, me Giroud dhe Mbappe që ishin lojtarët më të duartrokitur.
Humbja në finale, mbi të gjitha në Kupën e Botës është një moment mjaft i vështirë për t’u përjetuar. Të jesh aq pranë ëndrrës dhe në fund të zhgënjehesh, duke bërë që bota të shembet nën këmbë.
Megjithatë, Franca ndjeu rreth vetes ngrohtësinë dhe mbështetjen e tifozëve. Sapo u kthyen në shtëpi, gjelat u drejtuan drejt Place de la Concorde në Paris, aty ku i prisnin 10 mijë tifozë.
Skuadra e Deschamps doli në ballkonin e hotelit Crillon, për të përshëndetur mbështetësit entuziastë. Mes lojtarëve më të vlerësuar nga tifozët ishin Kylian Mbappé dhe Olivier Giroud.
E gjithë Franca është krenare me këtë skuadër, që ka luajtur në finalen e Kupës së Botës në dy edicionet e fundit dhe pas triumfit të vitit 2018, tashmë ia lanë fronin Argjentinës së Lionel Messit. (A2 Televizion)









