I nisur nga Irani, gjendet në Norvegji trupi i vogëlushit të përpirë nga deti

Nga A2 CNN
7 Qershor 2021, 15:56 | Bota

Një trup i vogël, i imët, pa jetë. Aty ku një pamje e tillë e llahtarshme nuk është aspak e zakonshme, sic mund të jetë në brigjet libiane, greke, italiane.

Por ishte pikërisht kufoma e një vogëlushi 15-muajsh ajo që doli në pah forcave të rendit në plazhin në afërsi të Karmoy, në Norvegji, ditën e parë të vitit.

Asnjë sinjalizim nuk kishte ardhur nga familjet norvegjeze, skandinave, europiane. Nuk mund të ishte ndryshe, sepse trupi i pambrojtur i përkiste Artinit, i cili i sapolindur kishte filluar “udhëtimin e shpresës” të prindërve të tij, që braktisën Iranin me destinacion Mbretërinë e Bashkuar.

E gjithë familja e Artinit u zhduk në kanalin e la Manshit në 28 tetor

Gjithçka shkonte mirë në fillim dhe familja me origjinë kurde nga Irani kishte arritur të kalonte kufirin turk dhe në një mënyrë ende të paqartë kishte mbërritur në Itali, dhe nga aty në Francë.

Mungonte një hallkë e vetme, për të realizuar ëndrrën, por në kanalin e La Manshit varka e tyre pësoi një incident nga deti i trazuar, më 28 tetor. Babai Rasoul, mamaja Shiva, dhe vëllezërit Anita dhe Armin, 6 dhe 9 vjeç, pësuan të njëjtin fund tragjik të Artinit të vogël.

Trupat e tyre u përpinë nga thellësitë e detit, ndërkohë që Artini do të kthehet sërish në Iran për t’u varrosur, simbol i një tragjedie komplekse si ajo e emigracionit, si dhe të dramës së një populli, ai kurd, 35 milionë persona të ndarë në të paktën 5 vende të Lindjes së Mesme. Pa pasur kurrë mundësinë e një atdheu të përbashkët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos