Industria ajrore në pandemi

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 15:26 | Bota
Industria ajrore në pandemi

Pandemia COVID-19 paralizoi industrinë ajrore, ashtu si çdo biznes tjetër të globit, që prej muajit mars. Miliona fluturime, siç kurrë më parë nuk kishte ndodhur, u anuluan, teksa kompanitë më të mëdha ajrore nisën të raportojnë humbje rekord. Zgjidhja ishte shkurtimi i stafit. Me mijëra vetë figurojnë sot të papunë në këtë industri. Në vetëm dy muajt e parë, mars-prill, humbjet në këtë industri arritën në 80% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me industrinë e aviacionit, që do të kërkojë vite për tu rimëkëmbur nga kriza që shkaktoi pandemia. Mijëra dollarë e euro u shpenzuan nga kompanitë e fluturimit apo aeroportet për masat e higjienës, kontrollet fizike, testet e Covid-19 apo dezinfektimit. Shumë kompani u detyruan të gjejnë mënyra alternative për ti shpëtuar falimentit: shumë u detyruan ti shndërrojnë avionët e pasagjerëve në avionë mallrash.

Kompania britanike “Flybe” pësoi kolaps më 5 mars, pas një bumi kërkesash për të udhëtuar dhe pezullimit menjëherë të fluturimeve, duke u bërë e para kompani ajrore që u godit nga kriza e koronavirusit, që në Europë kish nisur të shfaqej prej disa javësh.

Pekini nisi t’i mbajë udhëtarët që vinin nga jashtë në karantinë, duke nisur nga 16 marsi. Ata që mbërrinin në Kinë, ishin të detyruar të qëndronin për 14 ditë në karantinë, në pikat që ishin bërë gati tashmë, pranë aeroportit të Pekinit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e Covid-19, këtë herë të importuar nga jashtë. Fillimisht, shumë pak pasagjerë morën masa për tu mbrojtur nga Covid-19, në aeroportin e kryeqytetit Pekin.

Po në mars, Koreja e Jugut operoi me pasagjerët përmes ato që i cilësoi stacionet e kontrollit, në çdo aeroport të vendit. Të gjithë ata që vinin nga vendet e huaja e që nuk shfaqnin simptoma, i nënshtroheshin testimit në pikat që ishin ngritur pranë aeroporteve, duke më pas ndarjen, pozitivët dhe jo pozitivët.

“Air France” nisi po ashtu të marrë masat e para, duke u shpërndarë maska mbrojtëse pasagjerëve dhe duke implementuar një regjim ndryshe për higjienën personale. Maskat më pas u bënë të detyrueshme për çdo pasagjer, në aeroport por edhe gjatë të gjithë fluturimit, nga kompania ajrore “Air France” duke nisur nga 11 maji.

“Avianca Holdings”, kompania e dytë më e madhe në Amerikën Latine, pranoi falimentin në muajin maj, për shkak të pandemisë koronavirus, edhe pse prej vitesh përballej me probleme financiare. Në muajin tetor, një gjykatë amerikane aprovoi propozimin për një plan financiar, në shumën e 2 miliardë dollarëve, për të ndihmuar kompaninë.

“Brussels Airlines”, pjesë e kompanisë gjermane Lufthansa, tha më 12 maj se do të reduktojë flotën e saj, së paku me 30% dhe forcën punëtore me ¼,, duke deklaruar se kjo është e vetmja mundësi për të garantuar mbijetesën gjatë pandemisë dhe pas saj. Kompania, me një staf prej 4200 punonjësish, tha se shkurtimet do të prekin çdo nivel ndërsa kërkoi edhe mbështetjen nga kompania mëmë Lufthansa si dhe nga qeveria belge.

Pastërti, higjienë e shtuar personale dhe distance fizike ishin rregullat që Brenda pak muajve u implementuan nga kompanitë më të mëdha ajrore në botë dhe në aeroportet më të mëdha. Në muajin maj, “Air France” njoftoi se përkohësisht do të heqë nga përdorimi superavionin e saj Airbus A380, për shkak të krizës që kishte shkaktuar koronavirusi.

Efekte…

Në përpjekje për të reduktuar humbjet e paevitueshme për shkak të numrit shumë të vogël të pasagjerëve muajt e fundit, “Ethiopian Airlines” shndërroi 22 nga avionët e saj të pasagjerëve në avionë ngarkesash, në mënyrë që të ndihmonte kompaninë për të diversifikuar të ardhurat. Me kërkesat gjithnjë e në rritje për avionë kargoje, për të transportuar pajisjet mjekësore dhe ndihmat e tjera, inxhinierëve iu deshën rreth 36 orë për të zhvendosur ndenjëset nga avioni, për ta vënë atë menjëherë në funksion për transport mallrash.

Fluturimet dukej se po i riktheheshin normalitetit në muajin maj në Kinë, atje ku situata nga koronavirusi dukej se po lehtësohej në krahasim me pjesën tjetër të botës. Pasagjerët që udhëtonin nga lindja e Kinës drejt pjesës tjetër duhej vetëm të masnin temperaturën në aeroport. Por Brenda në avion, distanca ishte njësoj si para pandemisë, me thuajse kapacitet të plotë në bord.

Kompania më e madhe ajrore koreano-jugore, “Korean Air” miratoi rregulla për të mbrojtur udhëtarët, të tilla si distance sociale edhe në bord, duke lënë ndenjëse bosh mes një pasagjeri dhe një tjetri. Po ashtu maska u bë e detyrueshme për pasagjerët dhe stafin.

Fluturimet e brendshme u rihapën Brenda për Brenda Indisë më 25 maj, edhe pse vendi po raportonte shifra ditore shumë të larta. Në aeroportet e vendit, pasagjerëve iu kërkua të ruajnë distancën fizike, të mbajnë maskë, ti nënshtrohen kontrollit termik e të kujdesen për higjienën.

“Japan Airlines” u kujdes në ekstrem për higjienën dhe pastërtinë e avionëve të linjës, duke i dezinfektuar ato pas çdo fluturimi. Ajri, me detyrim, duhej të ventilohej çdo 2 minuta, edhe nëse ishte në fluturim.

Kompania low-cost ukrainase, “SkyUp”, pas krizës së disa muajve, tha se ka zgjedhur që avionët e pasagjerëve, edhe ajo, ti shndërrojë në avionë mallrash. 8 nga 11 avionët e saj, ata më të vegjël por edhe Boeing, u konvertuan menjëherë, për tu vënë në përdorim.

LATAM Airlines Group, kompania më e madhe e Amerikës Latine, njoftoi falimentin më 26 maj, duke u bërë zyrtarisht kompania më e madhe ajrore që shpallte falimentin për shkak të pandemisë.

“Emirates”, kompania më e madhe ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe, pushoi nga puna qindra pilotë e anëtarë të ekuipazhit deri në muajin korrik, pas krizës financiare të shkaktuar nga pandemia. Burime thanë se kompania, me një forcë punëtore prej 4300 pilotësh dhe 22 mijë punonjësish të tjerë të saj, u tkurr me gati 1/3.

“Turkish Airlines” iu rikthye fluturimeve të brendshme më 1 qershor, duke e shndërruar distancën fizike dhe maskën mbrojtëse, në realitetin e ri, edhe për fluturime. Në çdo avion u vendos një monitor, për të ndëshkuar pasagjerët që nuk i bindeshin masave të reja anti-covid.

Edhe 2 nga kompanitë më të mëdha ajrore japoneze, “All Nippon Airëays” dhe “Japan Airlines” rinisën fluturimet e brendshme në qershor, duke implementuar rregulla të rrepta.

Masa të rrepta u morën nga aeroporti ndërkontinental “George Bush” në Hjuston, Teksas. Pasagjerët nuk duhej të preknin asgjë, përveç valixheve të tyre ndërsa makineritë me rreze ultraviolet sterilizonin shkallët elektrike.

Efekte….

“United Airlines” njoftoi pas gjysmës së parë të vitit se po përgatitej për shkurtimet më të mëdha në historinë e saj, duke theksuar se Brenda 2020-ës, do të pushohen nga puna 2850 pilotë apo 21% e totalit të tyre, pasi kompania e ka të pamundur të marrë asnjë ndihmë financiare nga qeveria amerikane.

Edhe “Singapore Airlines” tha me 10 shtator se do të shkurtojë 4300 vende pune apo 20% të të gjithë stafit.

Kompania italiane “Alitalia” nisi më 16 shtator 2 fluturime falas në ditë, ku pasagjerëve u ofroheshin teste të shpejta për Covid-19 në aeroport, përpara se të niseshin në fluturim, për tu kthyer në vendet e tyre. Por pasagjerët mund të udhëtonin vetëm përmes aeroportit Fiumicino dhe atij të Milanos, nqs provonin që ishin negativë në test.

Në aeroportin Heathrow të Londrës, kryerja e testeve nisi më 20 tetor, me rezultatet e testeve të shpejta që dilnin Brenda orës. Kjo ishte një mënyrë që nxiste fluturimet.

Më 21 tetor, edhe kompania ajrore “Cathay Pacific Airways” e Hong Kongut njoftoi se do të shkurtojë 5900 vende pune.

Testet e shpejta nisi ti aplikojë në aeroporte edhe gjermania Lufthansa, fillimisht në fluturimet Mynih-Hamburg. Vetëm ata që rezultonin negativë në test lejoheshin të udhëtonin.

E teksa kriza pritet të vijojë, së paku edhe në muajt e parë të 2021-shit, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror ka bërë një vlerësim përfundimtare për humbjet e shkaktuara në këtë sektor. Sipas IATA-s, industria ajrore do të humbasë për 2 vite krizë për shkak të pandemisë plot 157 miliardë dollar, shifër shumë më e lartë nga sa ishte parashikuar muaj më parë. Pandemia gjunjëzoi sektorin, që prej vitesh njihte vetëm fitime. Nga shitjet e biletave, vetë kompanitë ajrore deri tani kanë humbur 510 miliardë dollar. Edhe pse kanë vendosur të reduktojnë në maksimum shpenzimet, duke reduktuar mijëra vende pune, përsëri industria ajrore është në rrezik, me të dhënat që flasin qartë. Numri i pasagjerëve ka rënë me 60% vetëm në 2020, me 1.8 miliardë. Qeveritë e kontinentit amerikan dhe europiane kanë aprovuar mbështetje financiare prej 173 miliardë dollarësh për këto kompani, që mesa duket nuk janë mjaftueshëm për të shmangur falimentin, nëse kriza vijon për shumë gjatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos