Ish-futbollisti i kombëtares italiane dënohet me burg, përfshihet në aktivitete mafioze

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2021, 09:20 | Futboll

Një histori e vjetër, pothuajse dhjetëvjeçare, do t’i kushtojë rëndë Fabrizio Miccolit. Ish-sulmuesi i Palermo, Juventus dhe Perugia, që ka veshur edhe fanellën e Kombëtares italiane, u dënua në mënyrë të prerë nga Gjykata e Apelit italiane me 3 vjet dhe 6 muaj heqje lirie me akuzën e përfshirjes në veprime kriminale të tipit mafioz.

Sipas Prokurorisë, Miccoli, atëherë ende në aktivitet, në tentativë për të marrë një borxh prej 12 mijë eurosh që i kishte dhënë një pronari diskoteke iu drejtua një mikut të tij, siç ai e cilëson, por që rezulton të jetë Mauro Lauricella, djali i bosit mafioz Antonino, një nga figurat e spikatura të Cosa Nostra në Sicili.

Miccoli erdhi edhe në Shqipëri për një periudhë, ku mori statusin e zëvendëstrajnerit të Dinamos nën drejtimin e shkurtër të Francesco Moriero

Miccoli ka deklaruar se ai nuk ishte në dijeni për identitetin e vërtetë të Lauricella, i cili për zhvatjen ndaj pronarit të diskotekës ishte dënuar më parë me 7 vite burg.

Ish-futbollisti që erdhi edhe në Shqipëri për një periudhë, ku mori statusin e zëvendëstrajnerit të Dinamos nën drejtimin e shkurtër të Francesco Moriero, edhe pse do të kërkojë një ndryshim të masës, me siguri do të kalojë një periudhë në qeli.

https://a2news.com/2021/01/05/yjet-e-serie-a-te-dinamo-miccoli-do-te-futem-ne-fushe-nese-na-duhet-goli-moriero-paraja-seshte-gjithcka/

Nuk është hera e parë që ai përfshihet në skandale që kanë të bëjnë me miqësitë tij të dyshimta me eksponentë mafiozë. Vite më parë, një telefonatë e përgjuar tregonte se si ai tallej me disa prej tyre për vdekjen e gjykatësit Giovanni Falcone nga Cosa Nostra.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos