Ish kampioni evropian për salla të mbyllura, Izmir Smajlaj, duket se ka gjetur sërish formën e tij maksimale.
Shkodrani ka postuar në rrjetet sociale momentin kur ai thyen rekordin e tij personal, që përkon edhe me rekordin kombëtar, duke arritur gjatësinë 8.11 metër, pikërisht në Shkodër, gjatë kampionatit kombëtar të Atletikës.
“Dua t’iu falënderoj të gjithëve, familjen time, trajnerin z. Gjergj Ruli, miqtë e mi, tifozët e zjarrtë, Bashkia Tirane dhe Klubin Sportiv Tirana. Mbështetja dhe emocioni që përjetova në stadiumin e vendlindjes sime në Shkodër, më ndihmuan të fluturoj mbi pistë duke nderuar sërish Shqipërinë. Shihemi se shpejti... në rekorde të tjera!”, shkruan kampioni shqiptar në faqen e tij në Facebook.
Rekordi kombëtar i Smajlajt është për momentin performanca e katërt në Evropë dhe e 21-ta në botë këtë vit në hedhjen së gjati, që dominohet nga amerikani Jeff Henderson me 8.38 metra. (A2 Televizion)