
Tensioni mes palëve ekzistonte. Ajo që shtyu drejt përplasjeve më të dhunshme ndër vite, ishte dëbimi i disa familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në afërsi të Qytetit të Vjetër në Lindje të Jerusalemit.
Dhuna shpërtheu në një nga sajtet më të shenjta, që njihet nga myslimanët si Vendi i Shenjtë Haram Al-Sharif dhe për hebrenjtë si Mali Tempull.
Kjo përkoi dhe me muajin e Ramazanit dhe disa festa izraelite si përvjetori i pushtimit të Jerusalemit Lindor në luftën e vitit 1967 dhe marshimin e sionistëve ekstremistë.
Protestat dhe përleshjet ishin të vazhdueshme, herë të nxitura nga palestinezët e herë nga hebrenjtë. Por ndërhyrja e dhunshme e policisë izraelite mori një drejtim tjetër.
Qindra persona u plagosën në xhaminë Al-Aqsa në Jerusalem, teksa dhuna policore hyri dhe brenda objektit të kultit: bombat dhe gazi lotsjellës detyruan besimtarët që të përdoronin gurët për t’u mbrojtur.
Më pas erdhën raketat
Të hënën e 10 majit, militantët e Saraya Al-Quds, ekstremistë palestinezë, hodhën 30 raketa në drejtim të Izraelit. Menjëherë u kryen evakuime në Murin e Vajtimit dhe parlamentin izraelit, që po mbante një seancë. Hamasi kishte dhënë një ultimatum autoriteteve të shtetit hebre për të tërhequr ushtarët nga xhamia Al-Aqsa.
Sërish raketa, por këtë herë ndriçuan aq shumë qiellin dhe kishin pamjen e një shiu zjarri.
Qindra raketa u lëshuan, Hamasi palestinez në drejtim të Tel Avivit dhe ushtria e Izraelit që goditi shënjestra në Rripin e Gazës.
Bota në alarm
Bashkë me raketat erdhi shkatërrimi. Bilanci i viktimave dhe i të plagosurve rritet çdo ditë në të dyja anët, por më i lartë paraqitet mes palestinezëve. Mesa tyre që humbin jetën nga sulmet raketore janë dhe fëmijë. Dhimbja e familjarëve është e papërshkrueshme.
Nuk vonoi shumë përpara se Organizata e Kombeve të Bashkuara të paralajmëronte se konflikti Izrael-Palestinë po shkonte drejt një luftë të plotë.
Rreshtimi i ushtrisë së Izraelit në afërsi të kufirit me Gazën e përforcoi alarmin e ndërkombëtarëve. Forcat e sigurisë ishin urdhëruar të qëndronin në gatishmëri për një përballje të mundshme. Aktualisht po shqyrtohet edhe ndërhyrja tokësore e ushtrisë. As kjo dhe as festa e Fitër Bajramit nuk ndalën sulmet raketore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan një ndërmjetësues në Lindjen e Mesme për të ulur tensionet. Fillimisht deklaratat e administratës së Joe Biden ishin të balancuara. Por më pas erdhi mbështetja për Izraelin dhe thirrjet për militantët e Hamas. ““Zhvillova një bisedë me Netanjahun. Pritshmëria dhe shpresa ime është që luftimet të marrin fund. Por Izraeli ka të drejtë të mbrohet”, tha presidenti amerikan Joe Biden.
Disa kritika për këtë qasje erdhën nga Kongresi. “Dëshiroj të lexoj diçka që një nënë nga Gaza më ka dërguar dy ditë më parë. Po e citoj, ‘Sonte, vendosa fëmijët në gjumë në dhomën tonë, kështu që nëse vdesim, do të vdesim së bashku… Askush nuk do të jetonte që të mbante zi për humbjen e ndonjërit prej nesh’. Këto fjali më thyen zemrën edhe më shumë pasi politikat e vendit tim do t’i mohojnë të drejtën kësaj nëne që t’i shohë fëmijët e saj të jetojnë, pa frikë dhe të rriten pa trauma dhe dhunë”, Rashida Tlaib, ligjvënëse demokrate nga Çikago.
Turqia thotë se Izraeli i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe. “Ky shtet terrori, që përpiqet të grabisë në mënyrë impulsive një qytet të tillë si Jerusalemi, i cili është shtëpia e vendeve të shenjta për myslimanët, të krishterët si dhe hebrenjtë, ka kapërcyer të gjitha linjat”, tha presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Konflikti daton që prej vitit 1920, kur izraelitët dhe arabët nisën aktet armiqësore kundër njëri-tjetrit. Më pas u intensifikua menjëherë pas krijimit të shtetit të Izraelit, në vitin 1948. Ndër vite, komuniteti ndërkombëtar ka ofruar një sërë zgjidhjet, bazuar në dy shtete, atë të Izraelit dhe të Palestinës, por palët nuk kanë rënë asnjëherë dakord. Këto dështime në planet për paqen konfirmojnë arsyen pse ky konflikt u rindez tani dhe pse do ta shohim sërish në të ardhmen… (A2 Televizion)