Sot në mbrëmje vëmendja kthehet e gjitha te ekipet shqiptare në arenën europiane. Dinamo dhe Egnatia do të luajnë shanset e tyre për kualifikimin në play-off-in e Conference League.
Egnatia në letër ka një detyrë më të thjesht pasi përballet me sllovenët e Olimpija Ljubljanës pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë.
Të favorizuar pasi luajnë në shtëpinë e tyre dhe me një stadium të mbushur me tifozë, Egnatia beson se mund të bëjë surprizën dhe pse jo të shkruaj historinë për t’u kualifikuar për herë të parë në play off-in e Conference League.
Një nga shqetësimet e trajnerit Tetova lidhet me mungesën e Abdurrahman Fangajt,i cili në sfidën e parë në Slloveni u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhave. Megjithatë rrogozhinasit luajnë pa presion dhe besimplotë se mund t’ja dalin. Dueli nis në orën 21:00.
Në anën tjetër Dinamo pas humbjes 2-1 ndaj Hajduk Splitit në Kroaci, tani ka një detyrë më të vështirë në Arenën Kombëtare në kryeqytet.
Lajmi i mirë për Ilir Dajën është se ka të gjithë grupin në dispozicion. Ndeshja që do të luhet në kryeqytet do të shoqërohet pa dyshim dhe një “ushtri” tifozësh kroat që si në ndeshjen e parë krijuan një atmosferë elektrizuese për 90 minuta. Takimi Dinamo- Hajduk Split do të nis në orën 20:45. (A2 Televizion)