Kanceri i gjirit, pandemia përkeqëson situatën. 800 raste të reja në vit

Nga A2 CNN
5 Tetor 2020, 15:44 | Sociale
Kanceri i gjirit, pandemia përkeqëson situatën. 800 raste të

Turpi për kontrollin e gjirit e ka mbajtur gjithmonë larg mjekut. Por, në moshën 56-vjeçare u detyrua jo vetëm të shkojë në spital, por të heqë njërin gjoks për shkak të kancerit. Sot, e penduar për neglizhencën e treguar, Lumturie Qyra, nga Tirana, ka një mesazh për vajzën e saj dhe të gjitha gratë.

“Atëherë kur u sëmura, kur nuk ndihesha mirë, shkova në spital. Po të kisha ardhur më herët, më mirë do të ishte. Të gjitha gratë të bëjnë kontrolle dhe mos ta lënë veten pas dore", thotë gruaja.

Edhe pse koronavirusi është rrezik i shtuar për të sëmurët me kancer, Lumturia thotë se ndjek rregullisht kontrollet në spital duke respektuar masat mbrojtëse.

Por, mjekët kanë vënë re se pandemia ka përkeqësuar shëndetin e të sëmurëve me kancer. Për shkak të frikës nga infektimi, shumë prej tyre kanë shtyrë kontrollet tek onkologu dhe sëmundjet kancerogjene janë rënduar.

“Na kanë ardhur pacientë me rikthim të sëmundjes, nuk kanë bërë vizitat 3-mujore apo 6-mujore. Rikthimi i sëmundjes ka qenë problematik sepse janë prekur shumë organe dhe volumi tumoral ka qenë shumë i shprehur. Kjo e bën më të vështirë edhe menaxhimin”, thotë mjekja.

Në vendin tonë, dy gra në ditë diagnostikohen me kancer të gjirit ose rreth 800 raste të reja në vit. Onkologët thonë se është ulur vdekshmëria nga ky lloj kanceri, por është rritur sëmundshmëria te moshat e reja: “Vihet re rritje e rasteve të reja në moshat 30-45 vjeç. Ndërsa piku arrihet pas të 45-ve. Një ekzaminim para pasqyrës shpëton jetë. Çdo ndryshim në gjoks, në lëkurë apo një dalje nodusi, duhet t’i drejtojë tek mjeku. Kapja e hershme shpëton jetë”.

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kontrollet dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Gjatë muajit rozë, mamografitë në spitale dhe në qendra shëndetësore do të jenë falas, por këtë vit do të punojnë me orare të zgjatura për shkak të protokolleve mbrojtëse ndaj Covid-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos