
Një shtetas shqiptar është arrestuar nga Policia e Lecco në Itali ndërsa transportonte një sasi prej 11 kg kokainë të një cilësie shumë të lartë.
Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet me dije, ishte prej muajsh nën vëzhgim nga Guardia di finanza, e cila e finalizoi operacionin këtë të shtunë, duke e ndaluar ndërsa udhëtonte me makinën e tij në autostradën në drejtim të Parmës.
Gjatë kontrollit atij iu gjetën 11 kg kokainë, të cilën e kishte fshehur në një fund të dyfishtë poshtë sediljes së pasagjerit. Më pas, autoritetet kontrolluan dhe banesën e të arrestuarit ku gjetën dhe 3 kg të tjera drogë.
Lënda narkotike ishte e ndarë në paketime 1 kilogramshe mbi të cilat shkruhej “Daja”. Sipas policisë, ajo kishte si destinacion sheshet e Lecchese dhe provincën e Como, ku pritej të arrinte një vlerë 2 milionë euro.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë për gjetjen e personave të tjerë në këtë aktivitet kriminal, pasi roli i shqiptarit të arrestuar dyshohet të ishte vetëm si transportues. (A2 Televizion)