Një natë për t’u harruar për kapitenin e Manchester United Harry Maguire. Jo për eliminimin gjatë javës nga Sevilla në gjysmëfinalen e Europa League, por për një natë të çmendur dhe ndoshta me shumë alkool, që i ka kushtuar arrestimin në ishullin e njohur të Mykonos.
Mbrojtësi anglez ndodhej në ishullin grek për të kaluar pushimet, bashkë me të fejuarën Fern Hawkins dhe miq të tjerë, por është arrestuar dje duke kaluar natën në qeli, sepse ka tentuar të sulmojë një oficer policie vendas pas një diskutimi të zjarrtë.
Sipas mediave greke, grupi ku ndodhej 27-vjeçari po festonte në zonën e quajtur Matogianna, dhe pas mesnate iu duhej të dilte nga një prej lokaleve të shumtë të zonës, siç parashikohet nga masat parandaluese të COVID-19.

Por grupi sipas dëshmitarëve ishte aq i zhurmshëm sa u desh të thirrej policia, që fillimisht ndaloi mjetin ku ndodheshin, dhe më pas arrestoi futbollistin e njohur dhe 5 persona të tjerë pas një ballafaqimi të ashpër, ku Maguire sipas dëshmive ishte ndër më aktivët.

Ekipi i Manchester United ka konfirmuar lajmin, duke nënvizuar se “Harry po bashkëpunon me autoritetet greke”, por pa shtuar asgjë më tepër. (A2 Televizion)