
Kupa e Botës është fituar gjithmonë nga një grup i ngushtë skuadrash, që çdo 4 vite konsiderohen si favorite për të fituar turneun. Edhe këtë vit të gjitha janë aty, me përjashtim të Italisë. Por për ish-futbollistin e kombëtares, Hair Zeqiri, dy skuadra janë favorite për të ngritur kupën në Katar.
“Absolutisht që ekipet favorite janë Argjentina dhe Brazili, që kanë bërë një fazë kualifikuese të jashëzkaonshme. Të vetmin ekip nga Europa që ka realisht petkun për t’i rivalizuar, mendoj që është Franca. Të mos harrojmë edhe epiket si Spanja apo Anglia, por nëse ngelemi te favoritet, shikoj Argjentinën dhe Brazilin”, tha ai në “Katar 2022”, emisionin kushtuar futbollit, çdo mbrëmje në A2 CNN.
Parashikimin e Zeqirit e mbështesin edhe sondazhet. Sipas një mesatareje të përllogaritur nga disa sondazhe, Seleçao ka 20% mundësi që të sigurojë Botërorin e gjashtë në histori, e ndjekur pikërisht nga Argjentina, me 16% shanse për të fituar. Në vend të tretë renditen Spanja dhe Holanda me 7% mundësi, ndërsa pak më poshtë vjen Belgjika me 6% mundësi për të triumfuar. Gjermania nuk shihet aspak mes skuadrave favorite, pasi mundësitë për ta fituar ajo Botërorin, sipas sondazheve, janë vetëm 3%. (A2 Televizion)