
Atmosfera e Ditës së Verës tanimë është e dukshme në Elbasan, një qytet ku më së shumti jehon kjo festë me origjinë të lashtë dhe e veshur me legjenda e rrëfime për natyrën.
Në tempullin e Zanës së Malit të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan, thuhet se një krijesë gati mitike niste të shëtiste pyjeve për të shijuar natyrën.
Ajo këndonte që krijesat t’i afroheshin dhe bimësia të lulëzonte, gjatë gjithë muajit mars. Kënga e saj sillte verën. Dhe më këngë e presin Ditën e Verës ende sot në Elbasan.
“Këngët e qytetit tim” ishte një koncert që bëri bashkë shumë artistë që gëzojnë për gjallërinë e natyrës, por në skenë u ngjitën edhe babë e bir, artistët Sopot dhe Ardit Serica.
Një emocion që u lexua në sytë e tyre u përkthye nga vetë artistët si pasuria muzikore që i mungonte qytetarëve.
Këngëtari Ardit Serica, Eglantina Toska, Kastriot Tusha, Vikena Kamenica ishin disa nga artistët e tjerë që u ngjitën në skenë për të sjellë vetëm një pjesë të gëzimit që vjen në këtë qytet bashkë me Festën e Ditës së Verës. (A2 Televizion)