
Nuk ka pushim në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Një sulm me dronë goditi një pallat pesëkatësh në zonën e Dymerit, në veri të Kievit, duke shkaktuar shembjen e një pjese të ndërtesës dhe shpërthimin e një zjarri.
Presidenti ukrainas, Volodimi Zelenski, bëri të ditur se 14 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë mes rrënojave për të mbijetuar. Nëntë persona janë evakuuar deri më tani, por frika është se të tjerë mund të kenë mbetur të bllokuar nën beton.
Pas sulmit, Zelenski i ka bërë sërish thirrje Uashingtonit që të përshpejtojë dërgimin e raketave interceptuese amerikane Patriot, të financuara nga aleatët e Ukrainës. Sipas tij, është e vështirë të kuptohen vonesat në furnizimin me këto sisteme, në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ajrore.
Vetëm gjatë natës, Moska lëshoi 186 dronë drejt Ukrainës, përfshirë 72 modele me motor reaktiv. Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë ose neutralizojë 161 prej tyre, ndërsa goditje u regjistruan në 18 zona.
Zelenski zbuloi gjithashtu se gjatë javës së fundit Rusia ka sulmuar 20 rajone ukrainase, duke përdorur rreth 2 700 dronë, afro 1 460 bomba ajrore dhe 165 raketa. Mes tyre sipas presidentit ukrainas, kishte edhe raketa balistike të prodhimit koreano-verior, duke akuzuar Moskën se po ndihmon Penianin të përmirësojë saktësinë e armëve të tij. (A2 Televizion)