
Ende nuk ka përfunduar takimi që Albin Kurti dhe Isa Mustafa po zhvillojnë për të tentuar finalizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Atyre u janë bashkuar dhe ambasadoret e Quintit dhe shefja e Misionit te Bashkimit Europian, me ftesë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Nuk dihet ende arsyeja e kësaj pjesëmarrjeje, pasi me herët diplomatët e Britanisë, Amerikës, Italisë, Gjermanisë dhe Francës refuzuan të ndërmjetësonin negociatat për formimin e qeverisë së re.
Përpara nisjes së takimit, kryetari i Lidhjes Demokratike përsëriti se nuk lëviz nga oferta e fundit pasi sipas tij garanton ndarje të barabartë të pushtetit.
Mustafa pohoi se nuk i ka ftuar ai ambasadorët e Quintit. Takimi Kurti-Mustafa, që po mbahet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ka nisur që prej orës 17:00. Sipas një raportimi të Kosovapress, LDK po insiston në postin e kryeparlamentarit dhe atë të presidentit, ndërsa Vetëvendosje nuk pranon që Glauk Konjufca të shkarkohet nga detyra. (A2 Televizion)