Kompanitë ajrore në krizë, përmirësimi vetëm nga viti 2023, por asgjë nuk do të jetë si më parë

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2021, 21:55 | Teknologji
Kompanitë ajrore në krizë, përmirësimi vetëm nga

Kur flitet për sektorë ekonomikë të goditur nga pandemia, padyshim turizmi radhitet si një nga ato më në krizë. Por një tjetër industri, e lidhur me turizmin, nga më të fuqishmet globalisht para se të mësonim termin koronavirus, duket se jo vetëm ka pësuar humbje dramatike, por ndoshta nuk do të kthehet kurrë në ritmet e mëparshme.

Bëhet fjalë për industrinë ajrore, e cila për muaj të tërë u bllokua pothuajse totalisht, dhe sot është aktive për një përqindje shumë të vogël të fluksit me të cilin ishte mësuar.

Mjafton të shohësh sa të zbrazur janë aeroportet kryesore në Europë dhe jo vetëm, për ta kuptuar. Por një studim i ditëve të fundit vë në dyshim vijueshmërinë e sektorit ashtu siç është strukturuar sot, edhe në vitet në vijim.

Sipas raportit të shoqërisë së konsulencës Bcg, industria ajrore mund të rimarrë ritëm vetëm në fund të vitit 2023. Ky është skenari më pozitiv, ai për të cilin brenda verës së vitit 2021 vaksinat të jenë të kudogjendura, pjesë e mirë e popullsisë europiane do të jetë e vaksinuar dhe çdo pasagjer do të ketë mundësi të kryejë një tampon të shpejtë para udhëtimit.

Por nëse skenari ndryshon, data mund të spostohet, të paktën deri në vitin 2025. Por qasja e para covid, sipas raportit, do të duhet të ndryshohet përgjithmonë.

https://a2news.com/2020/12/31/industria-ajrore-ne-pandemi/

Raporti flet për një rënie e të paktën 8% të udhëtimeve për biznes, edhe kur përditshmëria jonë t’i jetë rikthyer normalitetit. Përshpejtimi i teknologjisë si përgjigje ndaj karantinës globale solli një dimension të ri për smart working, dhe tashmë të gjitha kompanitë kanë zhvilluar infrastrukturën dhe njohuritë e tyre digjitale. Veçanërisht i goditur do të jetë sektori i fluturimeve ndërkontinentale, ato në business class, ndërkohë që udhëtimet turistike do ta marrin veten, por edhe ato me specifikat e tyre.

Sipas anketimit të kryer nga raporti, pjesa më e madhe e familjeve do të preferojnë udhëtime të shkurtra, jo më shumë se 2 orë fluturim. Raporti këshillon kompanitë ajrore të tregojnë kurajë, dhe të fillojnë nga tani ndryshimin  e strategjive të tyre, në destinacione, por edhe në çmimet e ofruara, pa lënë mënjanë standardet e sigurisë, veçanërisht asaj shëndetësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos