Kompensimi i pagës nga shteti, punonjësit në të zezë rrezikojnë të mos përfitojnë

Nga A2 CNN
19 Mars 2020, 17:15 | Ekonomi

Kryeministri Rama ka premtuar se do të kompensojë më një pagë të gjithë të punësuarit në shtet dhe në privat, të cilët ndodhen të izoluar në shtëpi, për shkak të përhapjes së koronavirusit. Një logjikë që të çon në përfundimin se do të kompensohen vetëm punonjësit që janë të siguruar dhe rezultojnë në listëpagesat e tatimeve. Por çfarë ndodh me ata që punojnë në të zezë?

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria ka një shkallë informaliteti në tregun e punës me rreth 36 për qind. E përkthyer në shifra, kjo do të thotë mijëra të punësuar. këtu përfshihen ata që punojnë tërësisht në të zezë dhe ajo pjesë që deklaron paga më të ulëta. Kjo është edhe kategoria, që rrezikon që sot të mos marrë kompensim nga qeveria dhe të ndodhet në vështirësi reale për mbijetesë. 

“Kush nuk është i siguruar, të paktën deri tani, nuk ka asnjë shenjë se mund të kompensohet me diçka tjetër. Dhe ky është problem shumë i madh, sepse njerëzit punojnë për të përditshmen e tyre dhe njerëzit janë të rrezikuar për konsumin e përditshëm”, thotë Ines Nurja.

Sipas anketës së tregut të punës publikuar nga Instituti i Statistikave për vitin 2019, të punësuarit në sektorin shtetëror dhe atë privat jo bujqësor arrinin në total rreth 747 mijë. Ndërkohë që sipas të dhënave administrative, të publikuara po nga INSTAT, të punësuarit në këto dy kategori llogariten në rreth 690 mijë. Me një diferencë prej rreth 56 mijë vetë dhe që konsiderohet si informalitet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos