Konferenca e Donatorëve, Civici: Përtej euforisë, kujdes nga problemet tona të zakonshme me menaxhimin

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2020, 10:41 | Aktualitet
Konferenca e Donatorëve, Civici: Përtej euforisë, kujdes nga

Për ekspertin e ekonomisë, Prof. Dr. Adrian Civici, paratë e mbledhura në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë janë një shprehje besimi për vendin tonë, përtej mirënjohjes. “Sot bëhen shumë konferenca të kësaj natyre, por fakti që në raportin relativ me madhësinë që ne kemi, interesin gjeopolitik që paraqesim, kjo mbështetje ka vlerë politike, jo vetëm financiare”, tha Civici, i ftuar në studion e “Dita Jonë”.

Megjithatë, sipas Civicit, tani është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë se mund të përballojë këtë përgjegjësi të madhe. “Euforia është e justifikueshme, sepse nuk e prisnim këtë shumë, por është edhe një oksigjen shumë i domosdoshëm për ekonominë shqiptare. Me siguri që viti 2020 apo 2021 do ta ndiejnë rritjen e ekonomike. Por duhet të jemi të kujdesshëm sepse nuk do të ishte fare pozitive nëse do të fillonin të dilnin problemet tona të zakonshme me menaxhimin e këtyre fondeve”.

1,15 miliardë eurot janë mbledhur në formën e tre kategorive: “Në radhë të parë janë grante, dhuratë e pastër. Para që vihen në dispozicion të Qeverisë pa kushtëzime dhe pa destinacion. Natyrisht këto nënkuptohet transparenca buxhetore. Nga ana tjetër janë kreditë e buta, me përqindjet që u thanë mbrëmë, 2%, natyrisht mbi bazën e projekteve konkrete. Aty do të vazhdojnë negociatat besoj. Një sërë projektesh nga Qeveria shqiptare do të financohen me këto kredi. Ka dhe një kategori të tretë, para që dhurohen por për një qëllim të mirëcaktuar, si ndërtimi i një shkolle apo një pallati”, shpjegoi Civici.

Nëse do ta përkthejmë përdorimin e këtyre parave nga thjesht në disa destinacione fikse, në një lloj financimi për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare, sipas Civicit, kjo do të ketë pasoja edhe më pozitive. “Zona më e goditur është edhe një nga zonat më aktive ekonomike. Nëse investimet e reja bëhen me plane rregulluese, me një koncept modern për ofertën tonë turistike, natyrisht që përveç rikuperimit të dëmeve e rikthen edhe më efiçente”, tha ai. “Ndoshta me gjithë këtë sasi parash, ministrinë e Rindërtimit mund ta shndërrojmë në një institucion të zhvillimit ekonomik dhe rindërtimit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos