
Gjatë seancës së radhës në Gjykatën e Posaçme, ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi se dosja penale e SPAK ndaj tij ishte e ndikuar nga ish-zyrtarë të lartë amerikanë.
“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, tha Meta nga kafazi i sallës së gjyqit.
Pa përmendur emra apo përkatësi shtetërore, Meta tha se teksa ishte drejtues i shtetit ishte kërcënuar nga disa ambasada të huaja në Tiranë për një nga anëtarët e Kushtetueses.
"Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, tha Meta, që të mos ishte Marsida Xhaferrllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, u shpreh Meta.
Kërcënimi nga qarqe diplomatike për Vorpsin u pranua jashtë sallës edhe nga ish-deputetja, Monika Kryemadhi, e cila tha se kishte informuar për mesazhin edhe Departamentin e Shtetit në SHBA.
Gjatë seancës, Meta sqaroi edhe sms-në “më duhen 200 mijë” të dërguar prej tij, ish-kreut të DIA-s, Kastriot Ismailaj. Meta tha se mesazhi ishte keqinterpretuar nga SPAK, se në të nuk përmendeshin as lekë e as euro dhe se ky sms i ishte dërguar prej tij Ismailajt më shumë se 14 muaj para se ky i fundit të bëhej administrator i DIA. (A2 Televizion)