
“Mbështetja që do të marrim nga donatorët, është e provuar, dhe në gjykimin tim nuk e kalon ndoshta 30% të vlerës totale të dëmeve. Vlera e kërkuar do të kërkojë angazhim të burimeve të brendshme”.
Kështu u shpreh në Ditarin e orës 09:00 eksperti i ekonomisë Selami Xhepa teksa foli për procesin e rindërtimit pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.
Problemi nuk është fatura, por mobilizimi i burimeve
“Procesi i vlerësimit të dëmeve është një proces shumë kompleks dhe kam përshtypjen që ekspertiza e kërkuar i ka munguar Shqipërisë. Të bësh një vlerësim ndërtesë për ndërtesë është një proces më rigoroz dhe kërkon dhe një bazë dokumentare për këtë qëllim. Problemi nuk është shifra, por në momentin që ne do ta kemi këtë shifër sa do të jemi në gjendje të mobilizojmë burimet e duhura për të ndërmarrë këtë program që është shumë i kushtueshëm. Shqipëria duhet të ketë një shtesë, të paktën me 500 milionë euro, në dy vitet e ardhshme. Kjo është një shifër shumë e madhe për Shqipërinë”.
“Mbështetja nga donatorët nuk mjafton, zgjidhja duhet të jetë e brendshme”
“Mbështetja që do të marrim nga donatorët, është e provuar, dhe në gjykimin tim nuk e kalon ndoshta 30% të vlerës totale të dëmeve. Vlera e kërkuar do të kërkojë angazhim të burimeve të brendshme. Unë mendoj se është koha për të diskutuar seriozisht për mënyrën se si do ta qasim ne me instrumentet tona të brendshme financiare. Pastaj, fondet e donatorëve kanë probleme të prokurimit, të zvarritjeve të burokracisë. Nëse ne duhet ta nisim procesin e rindërtimit, procedurat duhet të fillojnë sa më përpara”.
Emergjenca e momentit
“Ka të bëjë me përcaktimin e trojeve të ndërtimit, ka të bëjë me përcaktimin e një plani pune. Unë gjykoj që qeveria duhet ta kishte bërë. Njerëzit duhet ta dinin që brenda kësaj kohe duhet të ndodhte kjo gjë. Ky plan duhet të ishte bërë. Njerëzit duhet të kenë një shikim të qartë se çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë. Punët nuk zgjidhen me miq, por institucionet kanë një agjendë”.
“Ekonomia ka nevojë për një stimul”
“Qeveria ka bërë rialokime fondesh në buxhetin e 2020-s. Nuk ka shtuar fonde të reja. Unë gjykoj se në fund të këtij viti do të kemi sërish mosrealizime serioze të të ardhurave. Kjo do të thotë se edhe vet programi e vë në diskutim zgjidhjen e këtij problemi. Ekonomia ka nevojë për një stimul. Ne ndodhemi në një depresion edhe shoqëror”. (A2 Televizion)