Protestat që po trazojnë Europën, kush janë të rinjtë e “Black Bloc” dhe si veprojnë ata?

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2026, 19:12 | Bota

Protestat që po trazojnë Europën, kush janë të

Media ndërkombëtare Al Jazeera i ka kushtuar një artikull fenomenit “Black Bloc”, grupeve të të rinjve të veshur tërësisht me të zeza, që janë bërë një prani e përsëritur në protestat e zhvilluara në disa vende të Europës, nga Franca dhe Italia, te Spanja dhe Shqipëria.

Bëhet fjalë për grupe prej disa qindra të rinjsh, të cilët shpesh përfshihen në përplasje të dhunshme me forcat e rendit. Ata janë identifikuar në raste të shumta duke shkatërruar prona publike dhe private, duke u vënë flakën automjeteve dhe ndërtesave, si dhe janë akuzuar për thyerje të dyqaneve dhe grabitje të mallrave të ndryshme, nga ushqimet deri te bizhuteritë.

Të njohur si “Black Bloc”, këto grupe shquhen për taktikat e tyre agresive, të cilat mund të përshkallëzojnë situatën dhe të kthejnë në të dhunshme protesta që nisin në mënyrë paqësore, të organizuara nga studentët apo sindikatat. Ndërsa disa mendojnë se prania e tyre ndihmon në tërheqjen e vëmendjes ndaj pabarazive sociale, politike dhe ekonomike, të tjerë i kritikojnë ashpër metodat e dhunshme, duke argumentuar se ato largojnë vëmendjen nga kërkesat dhe kauzat e protestuesve.

Sipas profesorit të shkencave politike në Universitetin e Quebec-ut në Montreal, Francis Dupuis-Déri, lëvizja e ka origjinën në Gjermani, në vitet 1980, dhe lidhet me një rrymë shoqërore të njohur si “autonomia”.

Në një intervistë për Al Jazeera, ai shpjegon se pjesëtarët e kësaj lëvizjeje ishin kundër shtetit, kapitalizmit, partive politike, madje edhe kundër komunistëve dhe sindikatave. Ata ishin kryesisht anarkistë, që besonin në një mënyrë jetese jashtë sistemit ekzistues.

Dupuis-Déri, autor i një libri mbi fenomenin “Black Bloc”, shpjegon se ideja fillestare ishte e thjeshtë: pjesëtarët të visheshin tërësisht me të zeza, me xhaketa lëkure, bluza me kapuç, helmeta motoristësh, syze dielli dhe shami për të mbuluar fytyrën. Kjo paraqitje synonte t'ua bënte të pamundur autoriteteve identifikimin e tyre gjatë protestave.

Një tjetër veçori e kësaj lëvizjeje është mungesa e një organizimi tradicional. “Black Bloc” nuk përbën një strukturë homogjene, nuk ka drejtues të njohur, hierarki apo një organizim qendror, përcjell A2CNN. 

Sipas Dupuis-Déri, pikërisht kjo mungesë strukture u mundëson pjesëtarëve të gjejnë lehtësisht njëri-tjetrin gjatë protestave, kryesisht përmes veshjes karakteristike. Lidhjet mes tyre krijohen edhe përmes komunikimit gojë më gojë dhe forcohen me pjesëmarrjen në demonstrata të ndryshme.

Lëvizshmëria përtej kufijve është një tjetër karakteristikë e rëndësishme e “Black Bloc”. Edhe pse qeveritë europiane nuk kanë publikuar të dhëna për protestat e fundit, këto grupe njihen për faktin se në të kaluarën kanë udhëtuar drejt vendeve të tjera për t'iu bashkuar demonstratave.

Mungesa e një regjistri anëtarësie e bën të vështirë përcaktimin e numrit të tyre të saktë. Megjithatë, sipas Dupuis-Déri, shërbimet inteligjente vlerësojnë se në Europë numri i pjesëtarëve të kësaj lëvizjeje arrin në 5.000 deri në 7.000, ndërsa në çdo protestë mund të shfaqen disa qindra prej tyre.

“Ata nuk kanë një regjistër anëtarësie, ndaj askush nuk e di me të vërtetë se sa janë. Shërbimet inteligjente vlerësojnë se në Europë janë rreth 5.000 deri në 7.000 pjesëtarë, ndërsa në çdo protestë shfaqen disa qindra prej tyre”, shprehet profesori.

Përballë mungesës së një strukture të centralizuar dhe aftësisë së tyre për t'u shfaqur në protesta të ndryshme, Dupuis-Déri e përmbledh kështu fenomenin: “Askush nuk mund t'i ndalojë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos