
Sot është dita. Amerikanët që nuk kanë votuar ditët e mëparshme apo nëpërmjet postës mund të shkojnë sot për të hedhur votën e tyre në kuti e cila do të nënkuptonte edhe 4 vjet të tjera nën drejtimin e Donald Trump ose një hap të ri nën administratën Biden.
Në Amerikë, të dy kandidatët mbyllën mbrëmë fushatën elektorale në Shtetet më vendimtare për votën e tyre. Teksa akuzoi edhe një herë të fundit Trump për menaxhimin e keq të pandemisë Biden iu premtoi amerikanëve një kthim në normalitet me fitoren e tij.
Nga ana tjetër, presidenti me përkrahjen edhe të pjesëmarrësve, në fjalimet e tij u premtoi atyre se nga 4 nëntori nuk do të dëgjohet më mbi pandeminë dhe teksa ata thërrisnin që ai të pushonte ekspertin e lartë të shëndetësisë Anthony Fauci, përgjigjja e Trump ishte: Prisni pas zgjedhjeve.
Megjithatë, në ditën e madhe të zgjedhjeve të vendit më demokratik në botë, situata nuk është aspak normale si në zgjedhjet e mëparshme.
Shumë biznese kanë marrë masa sigurie nga frika e ndonjë proteste të mundshme pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Masa janë marrë dhe në Shtëpinë e Bardhë e cila ka shtuar dhe një gardh tjetër të ngjashëm me atë që u vendos në verë.
Policia është përpjekur herë pas herë të qetësojë qytetarët duke i siguruar se nuk do të ketë kaos në një ditë si kjo dhe se ruajtësit e rendit janë të mobilizuar për mos ta lejuar diçka të tillë. (A2 Televizion)